Minatorët e Trepçës ndërpresin grevën

    Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça kanë ndërprerë grevën, pas 10 ditësh.

    Marrëveshja u arrit mes Bordit të përkohshëm të Drejtorëve të Trepçës dhe disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pak pas mesnatës.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se janë plotësuar disa kërkesa të minatorëve, sikurse pagesat e rregullta mujore.

    Ndërkaq, sa i përket kërkesës për sigurim shëndetësor dhe jetësor, minatorët janë pajtuar që këto çështje të trajtohen më vonë.

    Sipas marrëveshjes, minatorët dhe përfaqësuesit e partisë në pushtet u pajtuan që ekzekutimi i pagës së minatorëve të bëhet nga data 6 deri më 10 të çdo muaji, të shpallet konkursi për zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, të përmirësohen kushtet e sigurisë dhe të tërhiqen vendimet e ndërmarra gjatë grevës 10-ditore.

    Minatorët hynë në grevë më 24 tetor në kërkim të kushteve më të mira të punës.

    Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, muajt e fundit, minatorët i kanë marrë pagat mujore të ndara në dy pjesë.

    Minatorët nuk kanë sigurime shëndetësore, as jetësore dhe vazhdimisht kanë kërkuar t’i kenë të njëjtat.

    Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

    Pa mjete pune në minierën e Trepçës
    FotogaleriPa mjete pune në minierën e Trepçës

    Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

    Trepça pritet që t’i kalojë nën pronësi Fondit Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre. /REL/

    Lajmi Paraprak

    RASTI TRAJEKTORJA / Përsëri shpëton Gruevski

    Lajmi i rradhës

    Pse po ngutet Vuçiqi me zgjedhjet e parakohshme në Serbi?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë