Minimi i pakontrolluar i gurores në Dëbërcë shkakton dëme materiale, Blerim Sejdiu i panjoftuar për ankesën e banorëve (Video)

    Banorët e fshatit Dëbërcë duke protestuar ndaj gurores në fshat, e cila ka shkaktuar edhe dëme materiale / Fotografia: Nistori

    Sot banorët e fshatit Dëbërcë të Komunës së Zhelinës kanë protestuar tek urra e fshatit për shqetësimet që ua shkakton “gurorja” e cila kryen minime dhe jo vetëm kaq, por sipas banorëve fshati mbulohet me pluhur, madje ka plasaritje të mureve të shtëpive dhe shkollës fillore, zhurma e padurueshme dhe është ulur niveli i ujit të fshatit, shkruan Nistori.

    “Banorët e fshatit Dëbërcë shprehin pakënaqësitë për dëmet të cilat na i krijon kjo gurore, të cilat janë si vijon:

    • Ndotja e mjedisit jetësor (pluhuri i tepërt), ku mu për këtë qeveria e RMV-së në kushtetutën e saj ka të shkruar si vijon: Amandamenti 19, Neni 43 thotë: Secili njeri ka të drejtë të ketë mjedis të pastërt jetësorë. Secili ka për detyrë të mbrojë ambientin jetësorë si dhe thotë se shteti siguron kushte për qytetarët që të kenë mjedis të pastërt jetësorë;
    • Minimi i pakontrolluar nga organet kompetente të cilët merren me këtë punë;
    • Ndikimi i rrënjes së tepërt të nivelit të ujit ku 90% e fshatit kanë puse private;
    • Të çara (plasaritje) marramendëse të mureve të shtëpive, objekteve të ndryshme, institucionit arsimor (shkollës) ku këto plasaritje dhe zhurma shkaktojnë frikë të tmerrshme te nxënësit si dhe fëmijët e tjerë.” – thonë banorët e fshatit.

    Disa nga banorët thanë se disa herë janë ankuar te kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, por, sipas tyre, nuk kanë hasur në mirëkuptim. Ata potencuan se përsëri ankesën do ta paraqesin te Komuna e Zhelinës në mënyrë më të organizuar.

    “Te komuna ende nuk kemi dërguar ankesë, mirëpo kjo sot është si protestë paralajmëruese. Ne nuk i kemi zënë as rrugët, nuk kemi bllokuar as qarkullimin e auotmjeteve, është protestë paqësore për rreth rrugës. Mirëpo, në vijim do të ketë protestë edhe më masive. Do ta lajmërojmë edhe në polici, gjithashtu edhe në komunë. Si organizim është bërë nga rinia e fshatit Dëbërcë dhe në vijim do të bëhet edhe peticioni. Ka shumë kohë që ankohemi, madje edhe me vite, sepse edhe më përpara janë ankuar. Mirëpo, ditëve të fundit kemi dëgjuar një dridhje të madhe (nga gurorja) dhe menduam se është tërmet ajo dridhe, ai pluhur i madh. Kemi video, fotografi, kemi fakte të shtëpive me plasaritje.” – shtojnë banorët.

    Ata thonë se kompania në fjalë ka dërguar disa emra në polici, përkatësisht kompania ka dërguar ankesë në polici kundër banorëve që ankohen. Sa i përket deputetëve të kësaj zone, banorët akoma nuk i kanë lajmëruar për këtë shqetësim.

    Nistori kontaktoi edhe kryetarin e Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, nëse është i njoftuar për shqetesimet e banorëve të Dëbërces për minimet e gurores në fshat dhe nëse komuna do të ndërmerr masa, por Sejdiu tha se do të komunikojë opinionin publik gjatë ditës.

    “Nuk jam i njoftuar për ndonjë protestë. Unë i përkrah protestat e këtilla, por nuk kam qenë më herët i njoftuar, nuk kemi marrë asnjë njoftim. Do të japim komunikatë.” – është përgjigjur shkurt Sejdiu.

    Banorët paralajmëruan ditëve në vijim protesta edhe më masive deri në zgjidhjen e këtij problemi, sepse secili njeri meriton të ketë mjedis të pastër. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Osmani arsyetohet për heshtjen mbi propozimin francez

    Lajmi i rradhës

    Kuvendi i Bullgarisë miratoi heqjen e vetos

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë