Ministrat e BE-së kritikojnë Kinën për deklaratat lidhur me Ukrainën

    Deklaratat e bëra së fundi nga ambasadori i Kinës në Francë, që vënë në pikëpyetje sovranitetin e ish-shteteve sovjetike, sikurse Ukraina, janë kritikuar nga disa ministra të Jashtëm të vendeve të bllokut evropian.

    “Janë krejtësisht të papranueshme”, tha ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, para nisjes së takimit në Luksembur me homologët e tij nga shtetet e BE-së.

    “Shpresoj që shefat e këtij ambasadori do të qartësojnë këto deklarata”, shtoi ai.

    Lidhur me qëndrimin e tij nëse Krimea – gadishulli ukrainas që u aneksua paligjshëm nga Moska më 2014 – ishte pjesë e Ukrainës ose jo, ambasadori kinez në Paris, Lu Shaye, tha se historikisht ky gadishull ka qenë pjesë e Rusisë dhe i është dhënë Ukrainës nga ish-lideri sovjetik, Nikita Khrushchev.

    “Këto shtete të ish-Bashkimit Sovjetik nuk kanë status në të drejtën ndërkombëtare sepse nuk ka një marrëveshje ndërkombëtare për të materializuar statusin e sovranitetit të tyre”, tha Shaye në një intervistë për një televizion francez.

    Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha se deklarata të tilla “janë krejtësisht të papranueshme”, duke shtuar se tri shtetet e Baltikut do t’i kërkojnë Kinës për të qartësuar nëse ka ndryshuar qëndrimin zyrtar.

    Po ashtu, kundër deklaratave të ambasadorit kinez më herët u deklaruan edhe Franca, Ukraina dhe tri shtetet e Baltikut.

    Këto deklarata të ambasadorit kinez në Francë, vijnë teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon. Kina, aleate e Rusisë, nuk e ka dënuar Moskën për veprimet e saj në Ukrainë, por ka kërkuar që konflikti të zgjidhet përmes dialogut. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Ohër, fundjavat të rezervuara deri në tetor, priten turistë nga Izraeli, Polonia e Turqia

    Lajmi i rradhës

    Hill: Dialogut Kosovë-Serbi i nevojitet një vrull i ri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë