Ministri gjerman i Mbrojtjes kërkon shpenzime më të mëdha ushtarake

    Gjermania ka mbetur prapa objektivit prej dy për qind të NATO-s. Pavarësisht kësaj, ministri i Mbrojtjes Pistorius tani bën thirrje për thellimin e objektivit. Qeveria gjermane është “në proces konsultimi” për këtë temë.

    Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius mbështet kërkesat e partnerëve të NATO-s për të forcuar objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes të Aleancës. Ai mbështet mendimin se shpenzimet e dy për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) duhet të jenë kufiri më i ulët në të ardhmen, tha Pistorius në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

    “Dëshira për t’iu afruar objektivit dy për qind nuk do të mjaftojë,” theksoi ai. Kjo duhet të jetë baza për gjithçka tjetër. Pistorius këtu aludoi për objektivin aktual të NATO-s. Kjo parashikon që të gjitha vendet e Aleancës i afrohen deri në vitin 2024 shifrës prej të paktën dy për qind të PBB të tyre për mbrojtjen.

    Boris Pistorius

    Sipas ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kreu i Partisë Social Demokratike (SPD) Lars Klingbeil mbështesin si ai një objektiv shumë më të lartë të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes. “Ky është pozicioni im dhe i kancelarit dhe kryetarit të partisë,” tha Pistorius në kuadër të një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel. Negociatat për këtë temë duhet të zhvillohen brenda koalicionit qeveritar në ditët dhe javët në vijim.

    Marrëveshja pritet më e vona deri në korrik

    Diskutimet po zhvillohen brenda NATO-s për objektivin e ardhshëm. Një marrëveshje duhet të arrihet më e vonta i në samitin e ardhshëm të rregullt. Ai do të organizohet në datat 11 dhe 12 korrik në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë.

    Boris Pistorius takon një oficer ukrainas

    Një forcim i objektivit prej dy përqind do të kërkonte, aktualisht, një rritje të shpenzimeve gjermane të mbrojtjes me një shumë dyshifrore miliardash. Deri tani, Gjermania ka shpenzuar dukshëm më pak se dy përqind të PBB-së së saj për mbrojtje. Sipas shifrave publike, kohët e fundit pritej një shifër prej vetëm 1.44 përqind për vitin 2022 – bazuar në shpenzimet e mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s prej 55.6 miliardë dollarësh.

    I pyetur nëse deklaratat e tij korrespondojnë me qëndrimin gjerman për negociatat e NATO-s, Pistorius tha: “Ne jemi duke u konsultuar për këtë brenda qeverisë federale dhe sigurisht që do t’i përfundojmë konsultimet së shpejti”.

    Bashkëpunim për mbrojtjen e krahut lindor

    Boris Pistorius

    Në kuadër të takimit u mësua gjithashtu se Gjermania, Britania dhe Kanadaja synojnë një bashkëpunim më të ngushtë për të mbrojtur tre partnerët baltikë të NATO-s, Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë. Sipas Pistorius-it, për shembull, manovrat duhet të koordinohen më mirë me njëra-tjetrën. Koordinimi më i mirë ka edhe një efekt më të madh parandalues, shpjegoi politikani gjerman.

    Sipas Pistorius-it, gjashtë vende ranë dakord të martën në mbrëmje për një dokument mbi këtë temë. Bëhet fjalë për mënyrën se si të mbrohen në mënyrë efektive shtetet baltike, një pjesë veçanërisht e ekspozuar e aleancës, tha ai.

    Gjermania është, së bashku me Britaninë e Madhe dhe Kanadanë, një nga vendet kryesore të NATO-s në krahun lindor. Bundeswehr-i është kryesisht i pranishëm në Lituani, ku gjithashtu udhëheq një grup luftimi shumëkombësh. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Thëniet më të bukura nga romancieri Orhan Pamuk

    Lajmi i rradhës

    Shmangni përdorimin e telefonit para fëmijëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë