Deklarata e zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti me të cilën paralajmëroi punësime masive të shqiptarëve në administratë ka irrituar ministrin e Administratës Publike, Goran Minçev, i cili vjen nga partia e koalicionit qeveritar ZNAM. Minçev përmes Facebook-ut e porosit Izet Mexhitin të mos sillet si Liza në Botën e Çudirave.
Sipas tij këto deklarata janë shembull klasik i populizmit parazgjedhor, pa bazë juridike dhe institucionale.
“Do ta lusja zotëri Mexhitin të mos sillet si Liza në Botën e Çudirave, duke premtuar diçka që as është reale, e as e mundshme pa shkeljen e procedurave ligjore dhe parimeve të menaxhimit të mirë. Theksoj qartë dhe padyshim se të gjitha punësimet në sektorin publik për momentin zhvillohen vetëm sipas nevojave të institucioneve, në bazë të pajtueshmërive të marra paraprakisht nga institucionet relevante dhe në pajtueshmëri me Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligjin për Zyrtarë Administrativ”, deklaroi Goran Minçev, ministër i Administratës Publike.
Mexhiti në aktivitetin partiak të Lëvizjes Demokratike tha se brenda një viti qeveria do të realizojë më shumë punësime sesa janë bërë gjatë dy mandateve të kaluara nga subjektet e tjera politike shqiptare, madje duke përmendur qindra e mijëra vende pune për shqiptarët në administratë.
Ndërkohë sot zv.kryeministri i parë sot refuzoi të komentojë reagimin e partnerit të tij të koalicionit qeverisës. Megjithatë Mexhiti tha se ka vendim të qeverisë që 1.500 personave në shëndetësi kontrata në vepër t’u zëvendësohet me vendim pune.
“Në vazhdimësi ka nevojë për punësime të reja. Kam folur për transformimet e vendimeve në shëndetësi të cilat vite të tëra kanë mbetur, 10 vite, 9 vite me kontratë në vepër. Ka vendim të qeverisë për transformim të vendimeve. Janë 1.500 punësime, poashtu do të vazhdohet edhe në sektorët tjerë”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Prej tetorit të vitit të kaluar kur Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi balancuesin, punësimet në administratë bëhen pa mekanizmin e përfaqësimit të drejt dhe adekuat. Koalicioni VLEN, në vazhdimësi ka premtuar zgjidhje ligjore për këtë çështje, megjithatë e njëjta ende nuk është gati. /Alsat/