Ministri serb i Mbrojtjes, pesimist se Beogradi dhe Prishtina do të arrijnë marrëveshje

    Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha më 11 janar se nuk është optimist se Beogradi dhe Prishtina do të arrijnë një marrëveshje për Kosovën deri në fund të vitit.

    Siç vlerësoi për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), presioni politik ndaj Serbisë vazhdon – si për Kosovën, ashtu edhe për marrëdhëniet me Rusinë.

    Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, i cili po vazhdon prej gati dy vjetësh, që nga 24 shkurti 2022, edhe pse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    “Periudhë jo e lehtë, mbi të gjitha, do të thosha në gjashtë muajt e ardhshëm – jo vetëm deri në fund të janarit – Kosova dhe Metohia do të jetë tema dominuese”, tha Vuçeviq.

    Siç shtoi ai, Beogradi duhet të vazhdojë të jetë maksimalisht konstruktiv, duke mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare, por edhe të ketë vija të kuqe të përcaktuara qartë.

    Vuçeviq tha gjithashtu se “nuk është realiste” që deri në fund të vitit të arrihet diçka që nuk është arritur me dekada.

    Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët ta zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.

    Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar vazhdimisht që dialogu për normalizimin e raporteve duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili do të duhej t’u jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.

    Iniciativa për rikthimin e shërbimit ushtarak

    Vuçeviqi, po ashtu, tha se Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm nuk do të heqin dorë nga nisma për të rifilluar shërbimin ushtarak.

    Ai theksoi se është e rëndësishme të përmendet se “nuk është thirrje për luftë”, por kuptim i të gjitha aspekteve të sigurisë së rrethanave gjeopolitike, gjendjes në vend, situatës në rajon dhe të ardhmes së Serbisë.

    “Ne kemi dorëzuar një iniciativë zyrtare në kabinetin ushtarak të presidentit të shtetit. Do të dëgjojmë deklaratat e tij, pra bashkëpunëtorët e tij. Pas kësaj do të ketë një dëgjim publik. Instanca e fundit është Qeveria, d.m.th. Parlamenti”, tha Vuçeviq.

    Ai theksoi se ende nuk dihet nëse shërbimi ushtarak, po qe se riaktivizohet, do të zgjasë 100 apo 120 ditë.
    Iniciativa për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak është iniciuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe dhe i është dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 janar.

    Në shpjegimin e saj, ushtria deklaroi se propozimi pason “një shqyrtim të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore, me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral”.

    Ish-diplomati Nikolla Lluniq, nga Këshilli joqeveritar i Beogradit për Politika Strategjike, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se iniciativa “tregon se Forcat e Armatosura të Serbisë po përballen me probleme të akumuluara të plotësimit të njësive, që më tej nënkupton se menaxhmenti aktual nuk është në gjendje t’i zgjidhë ato”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Tasevski: Ajo që ndodhi më 4 janar është fillimi i zbërthimit të një enigme

    Lajmi i rradhës

    Emiratet e Bashkuara Arabe heqin vizat për qytetarët e Kosovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë