Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska thotë se Abetarja shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është libër, por material ndihmës. Janevska thotë se ky vendim është miratuar nga ish ministri Jeton Shaqiri, ndërsa thotë se si material ndihmës, nuk ka asnjë pengesë që Abetarja të vazhdohet të përdoret nëpër shkolla.
“Do të thotë Abetarja shqipe, ministri Jeton Shaqiri, bashkë me zyrën, e kanë miratuar si material ndihmës, nuk është libër. Jashtë këtij vendi, nuk e di se çfarë është. Në këtë vend është material ndihmës dhe nuk ka pengesa që edhe më tutje të përdoret”, tha mes tjerash Janevska.
Profesori universitar Avzi Mustafa vlerësoi më herët se pushteti dhe opozita shqiptare bën shumë zhurmë për abetaren e unifikuar, ndërkohë që përdorimi i saj nuk është zyrtar, por vetëm në bazë të vullnetit të mësimdhënësve. Mustafa tha se Abetarja e Unifikuar është një mjet didaktik shtesë për të plotësuar njohuritë e fëmijëve.