Ky dimër do të jetë i vështirë edhe për teatrot në Maqedoninë e Veriut

    Drejtorët e institucioneve të kulturës janë në pritje të faturave të energjisë elektrike për muajin shtator, nëse do ta kalojnë ose jo fashën e konsumit të përcaktuar. Me vendim të Qeverisë, nga 1 shtatori, institucionet duhet të konsumojnë 15 për qind më pak energji elektrike në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, në rast të kundërt, do të ketë sanksione për drejtuesit nëse nuk zbatohet kjo masë kursimi. Nëse në një pjesë të institucioneve i kanë fikur ndriçimin e fasadave dhe po kursejnë brenda mundësive, duke i zhvilluar provat gjatë ditës, prapëseprapë për shumë prej tyre supozohet se ky dimër do të jetë i vështirë dhe i pasigurt. Ka prej tyre që kërkojnë ndryshimin e tarifës për institucionet e kulturës, të tjerë kanë rënë dakord duke reduktuar numrin e shfaqjeve.

    Teatri Shqiptar në Shkup, i cili disa muaj më parë kaloi një krizë energjetike, veçse ka filluar të funksionojë sipas masave të reja të kursimit, duke fikur fillimisht ndriçimin e jashtëm dhe duke kursyer energjinë gjatë ditës. Nga ky institucion kanë deklaruar se po mundohen të shpenzojnë sa më pak energji elektrike të jetë e mundur. Një situatë e ngjashme është edhe në Qendrën teatrore për fëmijë dhe të rinj, ku drejtoresha Diana Toska thotë se planifikojnë që të kenë një numër më të vogël shfaqjesh, ndërsa mundohen për momentin të shfrytëzojnë temperaturat e ngrohta dhe dritën e ditës për të punuar.

    Në Teatrin e Tetovës, ku në vite ngrohja e ambienteve gjatë periudhës ë ftohtë ka qenë gjithnjë problem, ky vit nuk përbën ndonjë ndryshim. “Sezoni” në këtë teatër mbyllet me përfundimin e ditëve të ngrohta të vjeshtës. Në Teatrin e Kumanovës, që është në kuadër të Qendrës së kulturës “Trajko Prokopiev” janë duke i ndjekur me rigorozitet masat kufizuese. Ata kanë gjetur një tjetër zgjidhje, turnetë, skenat e festivaleve dhe prezantimeve të tjera jashtë vendit. Drejtori Sasho Todorovski thotë se për institucionet e kulturës, duhet të ndryshojë tarifimi industrial i energjisë elektrike.  

    “Duhet të gjendjet një zgjidhje, mund të mbyllemi në muajt më të ftohtë, si dhjetor, apo janar, ose duke ndryshuar tarifën dhe në vend që të paguajmë shuma të larta për faturat elektrike mund të shpenzojmë për skenën. Po i respektojmë masat e Qeverisë, por prapëseprapë bëhet fjalë për të kursyer diçka që i nevojitet më shumë teatrit…dritat”, thotë drejtori Todorovski.

    Teatri i Gostivarit që është pjesë e Qendrës së Kulturës vazhdon të punojë sipas planifikimit. “Kemi urdhëresë për kursim. Ne do të presim udhëzimet konkrete. Nëse do kemi urdhëresë për shkurtim atëherë do e bëjmë, përndryshe tani për tani veprojmë me këtë repertor që kemi”, thotë drejtori Sulejman Rushiti. Problemin më të madh për momentin e kanë institucione si Teatri Popullor Maqedonas, Opera dhe Baleti, ku sallat dhe skenat e mëdha, ku edhe gjatë muajve të verës faturat e energjisë i kanë 900 mijë denarët. Po ashtu në këto institucione është fikur ndriçimi i jashtëm, janë pezulluar ashensorët, por nga ana tjetër janë të obliguar që aktivitetet programore t’i zbatojnë në përputhje me Marrëveshjen me Ministrinë e Kulturës.

    “Ne si institucion jemi përgjegjës për ndjekjen e rekomandimeve për uljen e konsumit të ngrohjes dhe energjisë elektrike, prandaj në përputhje me to kemi përgatitur projeksione për repertorin deri më 31 dhjetor. Jemi në pritje të faturës së energjisë elektrike për muajin shtator, ndaj do të vendosim nëse do të aktivizojmë planin që kërkon reduktimin e aktiviteteve, për realizimin e të cilit ka rëndësi të madhe që konsumi i energjisë, për të cilin jemi përgjegjës, të jetë më i ulët për 15 qind nga muaji aktual i vitit të kaluar”, ka deklaruar drejtori i Operës dhe Baletit Vaso Ristov.

    Këto masa të kursimit do të vlejnë deri në datën 31 mars të vitit tjetër dhe gjatë kësaj periudhe gjashtë mujore planifikohen të fiket ndriçimi dekorativ në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve të kulturës, fikjen e llambave elektrike kur të ketë dritë të mjaftueshme, kondicionerët duhet të gradohen 27 gradë, të fiken kompjuterët pas punës, të ndërrohen rregullisht filtrat e ngrohësve dhe të kondicionerëve, të printohen vetëm materialet e nevojshme. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Buka shtrenjtohet për qytetarët, mullisët dhe furrat kanë paralajmëruar rritje deri në 10%

    Lajmi i rradhës

    A paraqet kërcënim për Maqedoninë e Veriut lufta në Ukrainë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë