“Pres që kryeministri i ri të bëjë një deklaratë të qartë se ai respekton Marrëveshjen e Prespës dhe se emri i vendit të tij është Maqedonia e Veriut dhe do ta përdorë brenda dhe jashtë vendit të tij”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, përcjell Nistori.
Ai foli edhe për politikën e jashtme, ndërsa iu referua marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se Athina përpiqet për marrëdhënie të mira, por është e nevojshme të respektohet Marrëveshja e Prespës.
“Pashë disa deklarata të presidentes së Maqedonisë së Veriut dhe mendoj se ajo bëri disa hapa prapa nga deklaratat fillestare. Ne përpiqemi për marrëdhënie të mira me Maqedoninë e Veriut, por e kemi thënë shumë herë se marrëdhëniet e mira kalojnë përmes respektimit të Marrëveshjes së nënshkruar nga dy vendet”, tha Mitsotakis.
Ai përsëriti qëndrimin se sipas tyre Marrëveshja kishte shumë mangësi në lidhje me gjuhën dhe kombësinë maqedonase.
“Por Marrëveshja përcaktoi një emër për të gjithë dhe këtë duhet ta respektojnë fqinjët. Dhe pres që kryeministri i ri, kur dhe sapo të bëjë betimin, të bëjë një deklaratë të qartë se e respekton Marrëveshjen e Prespës dhe se emri i vendit të tij është Maqedonia e Veriut dhe do ta përdorë brenda dhe jashtë vendit të tij”, tha kryeministri grek.