Qytetarët e të Komunës së Tetovës vijojnë të jenë të revoltuar për rritjen e tatimit në pronë. Në këtë drejtim, shoqata Më Mirë për Tetovën (MMPT) kërkoi nga komuna që të jetë transparente dhe të tregojë arsyet e vërteta të kësaj rritjeje, përcjell Nistori.
“Të nderuar qytetarë, duke marrë parasysh shqetësimet e shprehura nga shumë prej jush lidhur me shumat e larta të aktvendimeve për tatimin në pronë, kemi dorëzuar një kërkesë për qasje në informacion me karakter publik lidhur me këtë çështje. Përgjigjen e marrë nga Komuna do ta publikojmë sërish. Shpresojmë Komuna e Tetovës të përgjigjet sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët të informohen dhe të kenë qartësi mbi situatën”, thonë nga MMPT.
Ata kërkojnë arsyetim nga Komuna e Tetovës për rritjen e tatimit në pronë, metodologjinë e vlerësimit të tatimit në pronë, përqindjen e inkasimit në vitin 2022 dhe 2023.
Ndryshe, komuna e Tetovës, dy vitet e fundit, ka bërë rritje deri në 300 për qind të pagesës së tatimit në pronë. /Nistori/