Katër vite pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, mbetet ende e paqartë nëse gjuha shqipe është trajtuar si gjuhë zyrtare apo si një gjuhë e përkthyer në institucionet shtetërore. Ky problem është evidentuar nga nisma “Më Mirë për Tetovën” (MMPT), e cila më 5 shkurt të këtij viti kërkoi qasje në informata publike për të verifikuar nëse partitë politike në Maqedoni janë regjistruar në gjuhën shqipe, shkruan Nistori.
Sipas MMPT, përgjigjja e dhënë më 24 shkurt 2025 nga Gjykata Themelore e Tetovës ka qenë e paqartë dhe pa informacione konkrete, kështu duke lënë hapësirë për dyshime mbi zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Për më tepër, përgjigjja atëherë u dorëzua vetëm në gjuhën maqedonase, duke shkelur në mënyrë të drejtpërdrejtë ligjin që kërkon që përgjigjet të jepen edhe në gjuhën në të cilën është dorëzuar kërkesa.
Më pas MMPT këtë gjë e denoncoi te Inspektorati i gjuhës dhe më pas kjo gjë rezultoi që përgjigjja nga Gjykata të jepet në gjuhën shqipe, e përkthye me origjinalin.
“Pasi paraqitëm ankesë në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, gjykata më në fund u përgjigj në shqip – por pa nënshkrim të gjykatësit dhe me një vulë ku thuhet: “Dokument identik me origjinalin”, duke e trajtuar shqipen si një PËRKTHIM dhe JO si gjuhë zyrtare në këtë institucion”, kumtojnë nga MMPT.

Ky rast vjen në katërvjetorin e nënshkrimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke treguar se zbatimi i tij është ende i paqartë dhe mbetet në mëshirën e vullnetit politik dhe institucional.
Nisma “Më Mirë për Tetovën” ka deklaruar se do të vazhdojë të kërkojë respektimin e të drejtave gjuhësore dhe qasjen e plotë në informacionet publike, duke theksuar se gjuha shqipe duhet mbrojtur duke e përdorur dhe duke denoncuar ata që nuk e respektojnë. /Nistori/





