Reagimi i Më Mirë Për Tetovën MMPT:
Lista e emrave të rrugëve, bulevardeve, shesheve dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Tetovë ka nxitur reagime për përfaqësimin e shqiptarëve dhe lidhjen e një pjese të madhe të emërtimeve me periudhën e ish-Jugosllavisë.
Lista është siguruar nga Komuna e Tetovës pas një kërkese për qasje në informata me karakter publik, të parashtruar më 19 qershor 2026. Komuna e ka dorëzuar dokumentin më 27 korrik 2026. Sipas palës që ka kërkuar informacionet, dokumenti nuk është i plotë, pasi në të mungojnë disa emra rrugësh.
Në listën e pranuar figurojnë gjithsej 170 emërtime rrugësh për Tetovën dhe Reçicën. Prej tyre, 71 rrugë janë të identifikuara me numra, ndërsa 99 mbajnë emërtime të veçanta.
Nga këto 99 emërtime, 51 mbajnë emra individësh, ndërsa 48 të tjera lidhen me qytete, rajone, ngjarje historike ose nocione të periudhës jugosllave, ndër to Bihaçka, Kragujevaçka, Kievska, JNA, Partizanska, Proletarska dhe 29 Nëntori.
Sipas analizës së listës, në mesin e 51 rrugëve që mbajnë emra individësh figuron vetëm një emër shqiptar, ai i partizanit Murat Baftijari. Në dokument gjenden gjithashtu emra si Marshall Tito dhe Lenin, ndërsa pretendohet se 35 nga 51 emrat e individëve lidhen drejtpërdrejt me periudhën e Jugosllavisë komuniste.
Në reagimin lidhur me këto të dhëna thuhet se përbërja e emërtimeve është dëshmi e mënyrës se si shqiptarët dhe trashëgimia e tyre historike janë trajtuar gjatë sistemit të atëhershëm.
“Këto fakte dëshmojnë qasjen antishqiptare të regjimit jugosllav-komunist, i cili me çdo kusht ka tentuar ta fshijë historinë dhe trashëgiminë shqiptare të Tetovës, duke e paraqitur qytetin si monoetnik dhe duke anashkaluar edhe etnitë e tjera. Kjo është një formë e hapur e fshirjes simbolike dhe historike që është tentuar të bëhet në Tetovë gjatë asaj periudhe”, thuhet në reagim.
Kritikat nuk kufizohen vetëm te periudha e ish-Jugosllavisë, por drejtohen edhe ndaj aktorëve të sotëm politikë, të cilët akuzohen se vazhdojnë të njëjtën qasje ndaj shqiptarëve.
“Mbetjet e të njëjtit sistem dëshirojnë të ushtrojnë dhunë politike dhe të vazhdojnë nënshtrimin e shqiptarëve edhe sot. Ata kanë gjetur Murat Baftijarë të rinj në mesin e tyre, përmes të cilëve për 30 vite kanë tentuar t’i mbajnë shqiptarët të nënshtruar”, thuhet më tej.
Si argument se emërtimet aktuale nuk e pasqyrojnë përbërjen shoqërore të qytetit, në reagim përmenden edhe të dhënat demografike. Sipas tij, shqiptarët kanë përbërë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Tetovës edhe gjatë periudhës jugosllave, ndërsa sot përbëjnë shumicën e popullsisë së komunës.
“Fakti që emrat e rrugëve dhe të institucioneve të tjera nuk e përfaqësojnë realitetin shoqëror në Tetovë shihet qartë edhe nga pasqyra demografike. Sipas të dhënave zyrtare, përqindja e shqiptarëve në Tetovë nuk ka qenë asnjëherë nën 35%, edhe gjatë periudhës së Jugosllavisë komuniste kur shqiptarët janë dënuar dhe diskriminuar. Ndërkaq, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, përqindja e shqiptarëve në Tetovë është mbi 70%”, thuhet në reagim.
Në të njëjtën deklaratë kërkohet që emërtimi i hapësirave publike të pasqyrojë realitetin aktual demografik dhe shoqëror të Tetovës.
“Nëse Maqedonia e Veriut është shtet demokratik, atëherë vullneti i një populli shumicë nuk mund të anashkalohet”, theksohet në reagim.
Në fund, çështja e emërtimeve lidhet edhe me orientimin evropian të vendit dhe nevojën, sipas autorëve të reagimit, për shkëputje nga trashëgimia politike e sistemit komunist.
“Nëse Maqedonia e Veriut synon Evropën, atëherë njëherë e përgjithmonë duhet ta ndajë rrugën e vet nga e kaluara komuniste, pavarësisht se jugonostalgjikët dhe pasuesit e Titos edhe sot e kësaj dite gjejnë nipat dhe mbesat e ish-bashkëpunëtorëve të UDB-së për të vazhduar nënshtrimin e shqiptarëve”, përfundon reagimi.






