Nisma e pavarur MË MIRË PËR TETOVËN (MMPT) ka reaguar ashpër ndaj propozimit të ri të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat, sipas tyre, “rrit ndjeshëm numrin e nënshkrimeve për pjesëmarrje në zgjedhje dhe mbyll derën kandidatëve të pavarur në shumë komuna.”, raporton Nistori.
Në reagimin e tyre, MMPT thekson se ky propozim i nënshkruar nga partitë Vmro, Lsdm, Znam dhe Vlen, përbën një “goditje e drejtpërdrejtë ndaj vlerave demokratike dhe Evropiane” dhe është një përpjekje për të “fshirë zërat e pavarur nga harta politike.”
Në veçanti, nisma ngre shqetësimin për kërkesën për 900 nënshkrime në komunën e Tetovës, “gati sa për formimin e një partie politike,” duke e vënë në kontrast me praktikën evropiane ku në shumicën e vendeve numri i nënshkrimeve të kërkuara për kandidatët e pavarur është më pak se 200.
MMPT gjithashtu denoncon procedurën e përshpejtuar të miratimit të ligjit “pa debat publik, pa transparencë,” ndërsa propozimi ishte anuluar vetëm një muaj më parë nga Gjykata Kushtetuese dhe tani rikthehet “në version edhe më të rëndë.”
Nisma u referohet edhe nënshkrimit të deputetit Bekim Qoku, i cili “deklarohet se përfaqëson Vetvendosjen,” por me nënshkrimin e tij “i ka shpallur luftë aktivizmit dhe është integruar plotësisht në mendësinë e mbrapsht të partive politike.”
MMPT kërkon:
- Të mos votohet propozim ligji aktual
- Të hartohen propozime të reja ligjore që përfshijnë kërkesat e kandidatëve të pavarur
- Të zhvillohet debat publik me ekspertë dhe qytetarë
- Të miratohet një zgjidhje demokratike dhe kushtetuese
- Listat e mbyllura të zëvendësohen me lista të hapura.
Ata përkujtojnë se do të vazhdojnë luftën për “zgjedhje të drejta dhe për zërin e pavarur të qytetarëve,” duke mos u tërhequr nga kërkesat për demokraci dhe përfaqësim real. /Nistori/
