Mosblerja e librit – krizë shpirtërore | Publicistja Lindita Kadriu “shuplakë” politikanëve, universiteteve, prindërve dhe mediumeve (Video)

    Fotografia: Nistori

    Gazetar | Emir Hamzi

    Publicistja e njohur nga Maqedonia e Veriut, Lindita Kadriu ka kritikuar elitën politike, intelektuale, studentët, mediumet dhe prindërit, sepse nuk ishin të pranishëm në hapjen e panairit të librit “Tetova 2021”. Kadriu e quan këtë krizë shpirtërore dhe vetëdije të ulët, sepse përveç autorëve dhe medias, nuk kishte komunitete tjera.

    “Ne sot kishim këtë fotografi që tregon se në çfarë shoqërie jetojmë. Nga njëra anë ishim ne autorët, këndej ishin gazetarët dhe publik nuk kishte. Në qytetin me dy universitete, në qytetin siç tha edhe Salajdin Salihu në fjalimin e tij, se ka pas traditë të fjalës së shkruar, të leximit, etj. Ne, sot, në vitin 2021, në fund të vitit kemi një hapje të panairit ku nuk ka, më duket nuk ishte askush përveç kamarierit të “Shënd e Verë”. Domethënë, kamarieri i “Shënd e Verë” është më i vetëdijësuar, më i interesuar për librin, sesa profesorët universitarë, dr., mr., që blejnë diploma e që pastaj dalin para studentëve.” – deklaron Kadriu.

    Kadriu kritikoi politikanët e Tetovës, mjekët, prindërit, studentët e dy universiteve të Tetovës, universitetet dhe mediumet që nuk kanë emisione të veçanta kulturore.

    “Nuk kemi asnjë studentë të dy universiteteve. Njëri universitet e mban “Europë” në emërtimin e vet. Shumë larg Europës, universiteti tjetër më beter për kah këto allashvereshet e brendshme, etj. Pastaj, ku janë arkitektët, doktorët, politikanët. Tetova ka shumë politikanë. Ku janë profesoreshat që japin gjuhë shqipe, asnjë nuk pamë, ku janë arsimtarët që edukojnë brezin e ri. Ku janë prindërit që duhet ta mësojnë fëmijën të lexojë”.

    Sipas Kadriut kriza shpirtërore është një problem shumë i madh i shoqërisë tonë dhe kjo vjen pikërisht nga udhëheqësit e institucioneve të ndryshme.

    “Ju shikoni vetëm se kush i drejton institucionet tona. Kush janë drejtues në universitetet tona, kush janë drejtues në mediat tona, të cilët nuk kanë asnjë emision kulturor. TV Klan pa emision kulturor, TV Alsat pa emision kulturor. RTVM-ja ka aty ndonjë – hë e ka hë se ka. TV21 i ndjek shumë ngjarjet kulturore, është për lëvdatë ama emision kulturor nuk ka.” – shprehet Kadriu.

    Ndër të tjera, publicistja Kadriu foli edhe për librin e saj të fundit, përkatësisht një ditar karantine “E dua Koronën”, ku luxuesit mund ta gjejnë në panairin e librit në Tetovë.

    Ndryshe, panairi i librit “Tetova 2021” do të jetë i hapur deri më datë 30 dhjetor 2021, duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 22:00, në qendrën tregtare “Remall”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    LSDM: Arsovska që në fillim të mandatit i shkakton dëm Shkupit!

    Lajmi i rradhës

    Thaçi paralajmëron largimin nga PDSh? “Partia është në vështirësi për ekzistencë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë