“Mosndëshkimi duhet të marrë fund në Shqipëri”

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith u shpreh sot se mosndëshkimi duhet të marrë fund në Shqipëri, ndaj Britania e Madhe do të vazhdojë të forcojë institucionet që mund të sjellin drejtësi këtu, por gjithashtu do të ndërmarrë masa kur bëhet fjalë për interesat kombëtare të popullit britanik.

    Në një intervistë televizive, ambasadori King-Smith u pyet mbi reformën në drejtësi si edhe shpalljen “non grata” të kryetarit të PD-së Sali Berisha.

    “Unë shoh një vendosmëri të vërtetë nga ana e institucioneve të pavarura për të zbatuar drejtësinë, për të zbatuar sundimin e ligjit dhe për të rritur përgjegjësinë. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm për ne. Ne duhet të përmirësojmë përgjegjësinë dhe t’i japim fund mosndëshkimit. Në mënyrë që, ata që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion, ta dinë se nuk do t’u shpëtojnë veprimeve tona”, tha ai, shkruan ATSH.

    “Nuk mendoj se duhet të ketë presion mbi institucionet e pavarura, por përkushtim dhe mbështetje, gjë që ne e bëjmë. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer mes prokurorëve këtu dhe shërbimit tonë të prokurorisë së Kurorës. Kemi gjithashtu, një angazhim të shkëlqyer mes të gjitha autoriteteve tona të zbatimit të ligjit. Pra, duhet të vazhdojmë kështu. Duhet të forcohemi, dhe pa dyshim, të vlerësojmë aftësitë, në mënyrë që të mbështesim fort njëri-tjetrin”, tha ai.

    Ambasadori britanik theksoi se “nuk duam të shohim presion të jashtëm të panevojshëm mbi asnjë institucion, por duam të shohim mbështetje për këto institucione dhe t’u japim atyre siguri dhe besim më të fortë për të ardhmen”.

    “Ne do të do të vazhdojmë të marrim masa për të përmirësuar përgjegjësinë dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit për ata që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion, veprime që i ndërmorëm në korrik me valën e parë të një sërë masave. Kur bëhet fjalë për veprime përçarëse ndaj emigracionit, ne nuk bëjmë të ditur emra. Nuk i diskutojmë ato. Këto janë çështje që janë objekt i procedurave ligjore dhe që ne nuk i publikojmë kurrë globalisht. Pra, natyrisht, as unë dhe askush tjetër nuk ka komentuar mbi ata individë, apo numrin e njerëzve të përfshirë. Ajo që bëmë ishte shpallja e politikës dhe ajo politikë mbetet. Është një qeveri e Mbretërisë së Bashkuar. Vendimet fillestare miratohen nga Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Punëve të Jashtme. Dhe këto janë çështje që në thelb trajtohen në përputhje me procedurat tona standarde”, tha ai.

    Ndaj, vijoi ambasadori, “nuk do të hyj në detaje për sa i përket situatave individuale, por ajo që do të them është se ky nuk është fundi, ne do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa, dhe ata që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion duhet ta dinë se nuk gëzojnë pandëshkueshmëri për veprimet e tyre”.

    “Nuk më takon mua të komentoj politikën e brendshme këtu në Shqipëri. Por kjo është një kohë kur besoj se njerëzit në Shqipëri kanë një shans për të bërë zgjedhjen e tyre. Ne presim me padurim zgjedhjet lokale dhe më pas zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe shpresojmë dhe i bëjmë thirrje popullit dhe partive që të zgjedhin kandidatë të lirë nga krimi dhe korrupsioni, në mënyrë që Shqipëria të ndjekë një trajektore pozitive. Mendoj se është shumë e rëndësishme që në funksion të zgjedhjeve vendore, partitë të zgjedhin kandidatë të lirë nga krimi dhe korrupsioni”, shtoi ai.

    Lajmi Paraprak

    Shefi i OKB-së: Nëse klima nuk bëhet prioritet do të përballemi me katastrofë

    Lajmi i rradhës

    Zgjerimi i NATO-s vihet në pikëpyetje pas kundërshtive të Turqisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë