Mospajtimi në Moskë dhe efekti domino i bankave ruse

    Federiko Fubini

    Edhe në zemër të regjimit ka shqetësim për rrezikun që Putin po merr në Ukrainë. Dhe bëhet fjalë për fatin e huadhënësve

    Të martën në Dumën e Moskës, 28 nga 324 deputetë të partisë së regjimit Rusia e Bashkuar abstenuan për njohjen e dy pseudo-republikave të Donbasit. Edhe në zemër të regjimit ka shqetësim dhe mospajtim për rrezikun që Vladimir Putin po merr në Ukrainë. Po, por çfarë rreziku?

    Sanksionet tregtare nuk kanë gjasa të bëjnë shumë, në mos në planin afatgjatë (kur Ukraina do jetë tashmë një shtet kukull i Moskës). Për sa u përket oligarkëve, pjesa më e madhe e pasurisë së tyre është e strehuar në llogari të mbajtura në emër të emrave të tjerë.

    Jo, ajo që i frikëson ato 28 abstenime në Duma duhet të jetë diçka tjetër: brishtësia financiare e Rusisë, të cilën sanksionet perëndimore të targetuara mirë mund ta bëjnë të shpërthejë. Sberbank, banka e parë kombëtare (me kontroll publik), ka një ekspozim prej 350 miliardë euro. Vtb e cila është e dyta (e kontrolluar edhe nga qeveria) e ka ekspozimin 214 miliardë. Vetëm këto të dyja kanë borxhe të llojeve të ndryshme, të barabarta me një të tretën e produktit bruto rus. Nuk do të ishte problem nëse tek këto banka dhe të tjerat, klientët do të kishin besim dhe ato do të mund të hynin në tregjet perëndimore në euro dhe dollarë për të rifinancuar borxhet e tyre.

    Por kjo nuk është domosdoshmërisht e thënë të ndodhë. Indikacionet nga Moska sugjerojnë se tashmë në publik ka nisur një garë drejt sporteleve, për të shitur rubla në këmbim të eurove ose dollarëve. Dhe që bankave ka filluar t’u mbarojnë likuiditetet në valutë të fortë për të kënaqur klientët.

    Tani heqja e tyre nga tregjet e euros dhe dollarit me sanksione, do të thotë shtytje e sistemit financiar rus në kolaps dhe detyrim i bankës qendrore në Moskë të djegë të gjitha rezervat e saj për paketën e shpëtimit.

    Në atë pikë, Rusia do të ishte ekonomikisht në gjunjë dhe kontrolli i Putinit mbi vendin, ndoshta, më i dobët. Por a do të kenë evropianët guximin të shkojnë deri në fund? Nëse nuk e kemi, atëherë le të pushojnë së bëri deklarata mbi krimin e radhës të tiranit të Moskës. / Corriere della Sera – Bota.al/

    Lajmi Paraprak

    Rusia rrëzon rezolutën e Shqipërisë për Ukrainën

    Lajmi i rradhës

    Qumështi ndihmon në uljen e shqerit në gjak

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë