Mot i stuhishëm godet Europën veriore, anulon fluturimet dhe zbraz tragetet

    Moti i stuhishëm që e ka goditur rajonin e Detit Baltik të hënën e ka vrarë të paktën një person dhe ka shkaktuar vonesa në fluturime, pezullimin e trageteve dhe daljen e një treni nga binarët.

    Tre persona u dërguan në spital në Suedi, kur dy prej vagonëve të udhëtarëve dolën nga binarët në Hudiksvall, një qytet 280 kilometra në veri të Stokholmit, njoftoi policia më 7 gusht.

    Treni doli nga binarët sepse “hekurudha është dëmtuar nga shiu i madh dhe rrëshqitja e dheut”, tha policia, duke shtuar se shkalla e dëmtimit të të lënduarve nuk dihet.

    Në tren ndodheshin 120 persona, raportuan mediat suedeze.

    Treni doli nga binarët në hekurudhën mes Iggesund dhe Hudiksvall në Suedi.
    Treni doli nga binarët në hekurudhën mes Iggesund dhe Hudiksvall në Suedi.

    Tragetet që e lidhin Poloninë me Suedinë, dy ishujt gjerman me Gjermaninë dhe Norvegjinë me Danimarkën, kanë mbetur në port. Tragetet dhe taksitë e ujit në ishujt gjerman Hiddensee dhe Reugen u anuluan për të hënën dhe të martën në mëngjes.

    Pushuesve u është kërkuar t’i shtyjnë planet e udhëtimit për të mërkurën.

    Në Lituani, një grua 50-vjeçare u vra nga rrëzimi i lisave afër kufirit me Letoninë. Kjo zonë u dëmtua shumë, duke i lënë mijëra njerëz pa rrymë elektrike dhe me kulme të shtëpive të shkatërruara.

    Shërbimi baltik i lajmeve tha se stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha në rajonin e afërt, Dobele. Postimet në rrjetet sociale treguan se njëra prej pronave më të prekura ishte një park në Tervete, një zonë e njohur rekreative që përfshin edhe një arenë lodrash për fëmijë, e frymëzuar nga përrallat letone. Parku do të jetë i mbyllur deri javën e ardhshme.

    Shi i madh dhe breshër u raportua edhe në Estoni, vendin e tretë baltik.

    Në Danimarkë, policia nga pjesa verilindore e vendit tha në X, rrjetin social të njohur dikur si Twitter, se moti është ende i lig.

    Departamenti i zjarrfikësve në Kopenhagë u bëri thirrje njerëzve të rrinë larg parqeve dhe maleve, duke thënë se “përzierja e shiut dhe stuhitë e rrit rrezikun për rrëzimin e lisave”.

    Në jug të Norvegjisë, autoritetet e lëshuan alarmin e motit ekstrem në nivelin më të lartë, për shkak të shiut të madh, rrëshqitjes së dheut dhe vërshimeve. Rrugët e Oslos, kryeqytetit të Norvegjisë, u vërshuan.

    Të dielën u raportuan mijëra vetëtima në Suedi. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Bullgaria e ndryshon ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, pas protestave masive

    Lajmi i rradhës

    Fëmijët që lypin para në rrugë | Të abuzuar nga prindërit, të shtyrë nga varfëria

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë