I thirrin në telefon dhe u prezantohen si zyrtarë, zakonisht policë dhe u kërkojnë mjete financiare për lirimin nga ndjekja penale të fëmijëve apo nipërve të tyre që u thuhet se kanë shkaktuar ndonjë aksident trafiku me pasoja fatale. Këto janë mashtrimet më të shpeshta që qytetarët i kanë denoncuar në polici gjatë periudhës së kaluar, ndërsa nga MPB thonë se po merren masa për zbardhjen e mashtrimeve të raportuara deri më tani, përcjell Nistori.
Viktimat më të shpeshta të këtyre mashtrimeve, sipas MPB-së, janë personat e moshuar.
“Mashtruesit kontaktojnë viktimat më së shumti në telefon fiks, por ka raste që kontaktohen edhe me celular me numër të fshehur. Për t’i bërë më bindës, në sfond dëgjohet një zë që kërkon ndihmë. Në këtë mënyrë autorët i mashtrojnë personat që i thërrasin”, thotë MPB.
Nga aty apelojnë qytetarët që të mos bien në këtë lloj mashtrimi dhe nëse kontaktohen të lajmërojnë menjëherë policinë.