MPB: prej nesër mënyrë e re e dorëzimit të letërnjoftimeve

    Prej të hënës do të hyjë fuqi sistemi i ri për lëshimin e letërnjoftimeve, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme të RMV-së.

    Sipas sistemit të ri, letërnjoftimet do të mund të merren çdo ditë të javës në çfarëdo periudhe të ditës nga stacionet policore, sipas vendbanimit të personit në Shkup.

    Ky ndryshim është sjellë pas kryerjes së analizës së suksesit të dorëzimit të letërnjoftimeve në adresë të qytetarëve në territorin e Qytetit të Shkupit.

    “Analiza solli në përfundim se dorëzimi i letërnjoftimeve është jo i plotë, nuk është gjithëpërfshirës dhe jo mjaftueshëm efikas, ndërkaq njëkohësisht nuk e ka efektin e dëshiruar edhe te qytetarët edhe te zyrtarët policorë të cilët kanë qenë të obliguar për dorëzim”, thonë nga MPB.

    Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

    Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

    Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.

    Lajmi Paraprak

    Buka me barishte – nga Karabaku në çdo cep të Armenisë

    Lajmi i rradhës

    Taravari: pres që të hyjë në rrethin e dytë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë