Çmimi i formularit për të huajt që aplikojnë për t’u pajisur me leje të përkohshme ka ndryshuar. Sipas një vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të publikuar në Gazetën Zyrtare (nr. 71 të vitit 2025), nga 190 denarë formularët do të kenë një kosto nga 4000 denarë për lejen e qëndrimit të përkohshëm e deri në 6.150 denarë për lejen e qëndrimit të përhershëm. Në vendim nuk jepet ndonjë sqarim rreth ndryshimit drastik të kostos për formularin për të huajt.
“Në vendimin për çmimet e formularëve që i lëshon MPB në pjesën e parë, paragrafi 1 pika 30, shuma 190 denarë zëvendësohet me shumën 6150 denarë. Në pikën 32, shuma prej 180 denarë zëvendësohet me shumën 4.000 denarë”, thuhet ndër të tjera në vendimin e publikuar në Gazetën zyrtare.
Qëndrimi i përhershëm është një qëndrim i dhënë një të huaji i cili ka banuar vazhdimisht në territorin e Maqedonisë për të paktën pesë vjet para se të paraqesë kërkesën për qëndrim të përhershëm në bazë të një qëndrimi të përkohshëm të miratuar.
Kushti për pesë vjet qëndrim të pandërprerë në RMV konsiderohet i përmbushur nëse i huaji, në periudhën pesëvjeçare para paraqitjes së kërkesës për qëndrim të përhershëm, nuk ka banuar jashtë RMV gjashtë muaj rresht ose për një periudhë kohore që nuk i kalon dhjetë muaj gjithsej.
Ndërsa qëndrimi i përkohshëm është një leje qëndrimi e lëshuar për një të huaj që synon të qëndrojë në vend për më shumë se 90 ditë, bazuar në arsyet e mëposhtme, si punë (punësim, punësim sezonal) arsimim ose studim, pjesëmarrje në programe ndërkombëtare shkëmbimi studentësh, specializim, zhvillim profesional ose trajnim praktik, vullnetarizëm, aktivitet kërkimor shkencor, trajtim, akomodim ose kujdes në institucione për të moshuarit, bashkim familjar ose arsye humanitare, si dhe për një të huaj që është anëtar i familjes së ngushtë të një shtetasi të Maqedonisë, një të huaj që është me origjinë nga Maqedonia, një fëmijë i një të huaji të lindur në Maqedoni që zotëron pasuri të paluajtshme në Maqedoninë e Veriut, në shumën prej të paktën 40,000 eurosh, si dhe për një të huaj – viktimë e trafikimit me njerëz. /Koha/