Nga MPJ Bullgare thonë se nuk kishte asnjë mundësi objektive që kriteret afatshkurtra të përcaktuara në pozicionin kornizë të përmbusheshin deri në fund të presidencës franceze (30 qershor).
Ministria e Jashtme bullgare pasditen e sotme deklaroi qëndrimin e saj për propozimin francez për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe konkluzionet e Këshillit të BE-së.
Ministria e Punëve të Jashtme, e udhëhequr nga ministrja në dorëheqje Teodora Gencovska, kërkon nga Komisioni për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Bullgarisë që të caktojë seancë për shqyrtimin e draft dokumenteve nga Franca. Gjithashtu thuhet se pa qëndrimin e tyre dhe të qeverisë bullgare, ata kanë mandat vetëm t’u përmbahen qëndrimeve të vendosura më parë bullgare.
“Do të ishte e përshtatshme që Komisioni të thërriste menjëherë një seancë me pjesëmarrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, për të diskutuar të gjitha dokumentet në dispozicion, për të formuluar një qëndrim të konsoliduar bullgar dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm të diplomacisë bullgare. Do të ishte optimale sikur qeveria të kishte shprehur tashmë qëndrimin e saj për këtë çështje të rëndësishme për vendin. Nëse kjo nuk ndodh, Ministria e Jashtme ka mandat vetëm t’i përmbahet Qëndrimit Kornizë, Deklaratës së Asamblesë Kombëtare të vitit 2019 dhe konkluzioneve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vitit 2022, me të cilat draft-korniza negociuese e propozuar nuk përputhet plotësisht”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme bullgare.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se në këtë fazë nuk ka mundësi objektive për përmbushjen e kritereve afatshkurtra për pozicionin kornizë të qeverisë bullgare deri në fund të presidencës franceze.
“Është e mundur që deri në fund (të presidencës franceze) të ketë qartësi për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut me të gjitha garancitë e nevojshme për interesat bullgare dhe të drejtat e bullgarëve në shtetin fqinj”, shkruan në deklaratë.
Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.