MPJD: E drejta e votimit s’mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti tha se Kosova nuk ia mohon të drejtën e votimit asnjë qytetari serb, por kjo e drejtë, sipas tij, nuk mund të “manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin”.

    “Si Republikë, jemi të barabartë mes fqinjëve tanë në rajon, prandaj duhet t’i shohim edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. Për më tepër, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe duhet t’i shohim edhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe”, tha Ahmeti përmes një postimi në Facebook.

    Të dielën, më 16 janar, Serbia mban referendumin për ndryshimin e Kushtetutës. Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë për këtë referendum përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

    Ky vendim i Qeverisë së Kosovës është kundërshtuar nga Beogradi zyrtar, që ka paralajmëruar Prishtinën për “pasoja të rënda”.

    Reagimi i zëvendësministri Ahmeti vjen pak orë pasi Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës, që të lejojë votimin e qytetarëve serbë, duke aplikuar praktikat e vendosura më parë. Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë.

    Këto vota i ka grumbulluar misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

    Por, zëvendësministri i Jashtëm, Ahmeti tha se nuk duhet të legjitimohen praktikat e kaluara, që sipas tij kanë shkelur sovranitetin e Kosovës. Ai shtoi se Serbia, duke kërkuar që referendumi të organizohet edhe në Kosovë, ka për synim “destabilizimin eventual të veriut të Republikës së Kosovës dhe të rajonit”.

    Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian po ashtu kërkuan që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet.

    Të dielën, qytetarët e Serbisë do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

    Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Marrëveshja e Prespës | Mitsotakis: Përpiqemi t’i shërojmë gabimet e kësaj marrëveshje

    Lajmi i rradhës

    Armenia pret përmirësim të raporteve me Turqinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë