MUNDËSIA E ARTË E BEOGRADIT

    ZGJEDHJET E PRILLIT MUND TË JENË FILLIM I NDRYSHIMIT NË SERBI.

    Më 15 shkurt, presidenti serb Aleksandar Vučić, pa kurrfarë shpjegimi, shpërndau Parlamentin me rekomandim të qeverisë dhe shpalli zgjedhje të reja të parakohshme të përgjithshme. Krahas zgjedhjeve presidenciale dhe lokale, më 3 prill, Serbia do të votojë për përfaqësuesit e rinj parlamentarë.

    Fushata zgjedhore tashmë është goxha e parregullt. Qeveria, përpos praktikave tjera klienteliste, po blen në mënyrë aktive mbështetje përmes pagesave të njëhershme të asistencës financiare për qytetarët. Gjithashtu, po e keqpërdor listën e votuesve. Por, në këtë raund zgjedhor, rezultatet mund të jenë ndryshe prej atyre që i synon Prijësi, sidomos në Beograd.

    Kryeqyteti i Serbisë, me mbi një milion banorë është shansi më i mirë i opozitës në 10 vitet e fundit, që përfundimisht t’i shkaktojë sfidë të madhe elektorale Aleksandar Vučić.

    Dy linja opozitare

    Beogradi prej kohësh është kapluar nga korrupsioni, zhvillimi urban i përçudnuar, zhurmat e trafikut dhe ndotja. Por ndryshe prej shumë komunave më të vogla në Serbi, kryeqyteti gjithashtu ka një numër mjaft të madh të klasës të mesme dhe punëtore që nuk varen nga përkatësia partiake. Natyrisht, që pakënaqësia afatgjate e beogradasve për gjendjen e tanishme të shndërrohet në ndryshim zgjedhor, nevojiten alternativa të besueshme politike. Dhe këtë herë do t’i kenë.

    Për fillim, këtë herë, opozita e ka tejkaluar plotësisht fazën ku pa sukses negocion për një kandidat të përbashkët për kryetar komune. Të dënuara të dështojnë pa nisur fare për shkak të dallimeve të mëdha në qëndrime, veprime të tilla në raundet e mëparshme zgjedhore kanë krijuar atmosferë të ndasisë dhe mosbesimit, atmosferë kjo që ndikoi tek votuesit. Më në fund një mësim i rëndësishëm u mësua: është e pakuptimtë të pritet prej të majtës dhe të djathtës, nacionalistëve dhe progresistëve, të pajtohen për një kandidat që do të jetë i pranueshëm për të gjithë.

    NË ZGJEDHJET E ARDHSHME NË BEOGRAD, OPOZITA DO T’I OFROJË TË PAKTËN DY LISTA QË KANË MUNDËSI TË ARRIJNË REZULTATE TË MIRA.

    Ndonëse sistemi zgjedhor e përdor metodën D’Hondt, e cila favorizon listën më të fortë, pjesëmarrja në zgjedhje e dy ose tri grupeve të ndryshme të formuara rreth vlerave të përbashkëta, në fakt i ofron opozitës mundësi më të mirë për ta arritur një shumicë paszgjedhore. Kjo sepse zvogëlon shanset që votuesit nga cilido skaj i spektrit politik ditën e zgjedhjeve do të qëndrojnë në shtëpi për shkak të pakënaqësisë ndaj një kandidati të “kompromisit”.

    Në zgjedhjet e ardhshme në Beograd, opozita do t’i ofrojë të paktën dy lista që kanë mundësi të arrijnë rezultate të mira. Edhe pse do të ketë më shumë opsione se vetëm këto dy lista, me “opozitë” po nënkuptoj vetëm ato lista për të cilat mund të jemi të sigurt se nuk do të bëjnë koalicion me partinë e tanishme në pushtet.

    Shpresat më të mëdha janë për Vladeta Janković. Ai është profesor universiteti, ish-ambasador i Serbisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Vatikan, si dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ish-kryeministrit Vojislav Koštunica. Janković ka një biografi pa gafa të mëdha, që do të mund të eksploatoheshin nga makineria e kryetitujve e regjimit të Vučić. Prapa këtij euroskeptiku konservator qëndrojnë një numër i partive dhe udhëheqësve të mirënjohur të opozitës, përfshirë Partinë për Liri dhe Drejtësi e udhëhequr nga Dragan Đilas, Partinë Demokratike që kryesohet nga Zoran Lutovac, Partinë Popullore e udhëhequr nga Vuk Jeremić dhe Lëvizjen e Qytetarëve të Lirë që kryesohet nga Pavle Grbović.

    Kundërfushata e parashikuar do të përpiqet ta reduktojë atë në një marionetë të Dragan Đilas, ish-president i Partisë Demokratike dhe ish-kryetar i komunës së Beogradit, i cili sot kryeson Partinë e Lirisë dhe Drejtësisë.

    Në mediat pro-qeveritare, adresimet publike të zyrtarëve dhe madje edhe në postimet në Instagram të deputetëve të parlamentit, Đilas qe 10 vjet portretizohet si e keqja më e madhe dhe mishërimi i praktikave korruptive të qeverisë së mëparshme. Mbështetja e Đilas për kandidaturën e Janković trajtohet si dëshmi e pagabueshme e karakterit të dobët të kandidatit, korrupsionit, madje edhe tradhtisë. Shkurt, lidhja e Janković me Đilas paraqet mënyrën më të shpejtë për ta diskredituar atë.

    Lista elektorale, të cilës i prin Janković përbëhet nga anëtarë të shumë partive dhe do të përpiqet të pozicionohet si opsioni më i fortë i opozitës, duke mbledhur njerëzit që do të dalin tek kutitë e votimit vetëm nëse mendojnë se fitorja është e arritshme.

    Janković është një zgjedhje ideale për një koalicion të tillë. Pikëpamjet e tij nuk krijojnë polarizim të mëtejshëm mes partive dhe mund të shtyhet përpara për ta zbutur të paktën pjesërisht reputacionin e keq që kryetitujt po përpiqen çdo ditë t’ia mveshin koalicionit të tij. Nuk është një udhëheqës karizmatik, por votuesit që duan t’i tërheqin nuk po e kërkojnë një të tillë. Ata thjesht po kërkojnë një opsion të denjë dhe neutral që nuk do t’u vije turp ta votojnë. 

    Suksesi i grupit të dytë opozitar, megjithatë, është ndoshta edhe më i rëndësishëm për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të Beogradit.

    Një hije për kryetar komune

    Koalicioni i gjelbër-majtist MORAMO (WE MUST, në shq. NE DUHET), përbëhet nga lëvizja Ne davimo Beograd (Mos e lini Beogradin të fundoset), platforma e qytetarëve Aksion, lëvizja Kryengritja Mjedisore, Forumi i Romëve të Serbisë dhe disa grupe të tjera më të vogla dhe individë, duke përfshirë themeluesin e shoqatës “Mbroni lumenjtë e Stara Planina”, e udhëhequr nga Aleksandar Jovanović Ćuta.

    Kandidati i tyre për kryetar komune është politologu Dobrica Veselinović, apo, siç ata e quajnë, “dobrinačelnik” — një kombinim fjalësh që ndërthur “Dobri”, që do të thotë edhe “mirë” edhe fillimi i emrit të Dobrica, me fundin e fjalës serbe për kryetar komune, gradonačelnik. Pseudonimi erdhi nga Twitter dhe tash po përdoret nga mbështetësit e koalicionit.

    Pasuria më e madhe e këtij koalicioni është reputacioni i pacenuar dhe veprimet e shumta pozitive, ndonëse të vogla, por të padiskutueshme që ata kanë kryer.

    NËSE TË DY LISTAT ARRIJNË REZULTATE TË MIRA, PARTIA PROGRESIVE SERBE (SNS) E VUČIĆ, MUND TA HUMBASË BEOGRADIN PAS SHUMË VITESH NË PUSHTET.

    Në vend të parullave boshe, aktivistët e “Mos e lini Beogradin të fundoset” kanë mbjellë pemë me vite, duke marrë pjesë në bisedime publike për ndryshimin e planeve urbane dhe duke protestuar vazhdimisht për problemet komunale. Me kalimin e viteve, organizimi i tyre u rrit, duke paraqitur diçka të rrallë në skenën politike të Serbisë, sepse as edhe një aferë apo skandal nuk lidhet me ta.

    Sfidat e tyre më të madha do të jenë thyerja e izolimit medial të vendosur nga regjimi dhe arrijtja një numri të mjaftueshëm votuesish. Taktika kryesore e qeverisë është kufizimi sa më i madh i qasjes së tyre në sferën mediale.

    Nëse të dy listat arrijnë rezultate të mira, Partia Progresive Serbe (SNS) e Vučić, mund ta humbasë Beogradin pas shumë vitesh në pushtet. Një shkak shtesë për humbjen e mundshme të SNS në Beograd mund të vijë nga brenda. Vučić ka caktuar si kryesues të listës zgjedhore kryetarin e komunës së Novi Beogradit, Aleksandar Šapić.

    Ish-ylli i vaterpolos u fut në politikë përmes radhëve të Partisë Demokratike (DS). Më pas ai themeloi Aleancën Patriotike Serbe (SPAS, një lojë fjalësh që do të thotë shpëtim) dhe deklaroi se nuk ka asnjë shans që mund të hynte në koalicion me SNS-në dhe pastaj pothuajse menjëherë pas kësaj e shkriu partinë e tij në SNS.

    Megjithatë, kryetari i Beogradit zgjidhet në mënyrë jo të drejtpërdrejtë përmes asamblesë komunale, kështu që është ende e pasigurt nëse kandidati i SNS-së do të jetë Šapić.

    Përkatësisht, Beogradi tani për tani udhëhiqet nga kirurgu pediatrik Zoran Radojičić, anëtar i SNS-së dhe një person pa rëndësi politike, i emëruar si hije për njeriun që shumë e konsiderojnë si kryetarin e njëmendtë, Goran Vesić. Vesić është figurë makiaveliste dhe operativ i ish-kryeministrit Zoran Đinđić dhe këshilltar i ish-presidentit Boris Tadić. Sot, ai është pjesë e rrethit të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Aleksandar Vučić dhe dikush që kontrollon marionetat në Beograd.

    Para së gjithash, emri i tij lidhet me paaftësinë e tij në drejtimin e metropolit dhe me ngritjen e ndërtimeve të pakontrolluara, prerjet e pemëve dhe një mori çështjesh tjera të ndyra. Edhe një fushatë joformale shumë-mujore për kryetar komune nuk rezultoi që t’i besohej kryesimi i listës zgjedhore, por prapë ai ka ambicie të mëdha.

    Vesić dhe Šapić e shohin njëri-tjetrin si konkurrentë dhe të dy i kanë të besuarit e tyre partiak, të cilët po i shtyjnë përpara në kurriz të tjetrit. Përçarja e brendshme që digjet në mes të kuadrit të SNS-së të Beogradit mund të shndërrohet shpejt në një lëvizje sabotuese ndaj Šapić gjatë fushatës zgjedhore, megjithëse SNS do të vë në pah Vučić edhe në zgjedhje lokale e jo dy burrat e tjerë.

    A do ta sigurojë prijësi në poster fitoren apo do ta përshpejtojë kolapsin? Mbase, këtë herë jo gjithçka sillet rreth Vučić.

    Pas 10 vitesh raundesh zgjedhore të mbushura me humbje, përçarje partiake dhe grindje të brendshme, opozita në Beograd më në fund është në një pikë ku mund ta lëkundë lavjerrësin e politikës serbe në anën tjetër. Që kjo të konkretizohet, koalicioneve të kryesuara nga Janković dhe Veselinović do t’ju duhet të arrijnë rezultate të jashtëzakonshme, si dhe sa më pak vota që të jetë e mundur nga opozita për kandidatët e tjerë të opozitës.

    Mënyra e vetme për t’i tërhequr ato vota është t’i bindësh votuesit se fitorja, qoftë edhe vetëm në kryeqytet, është një qëllim i arritshëm dhe se ka ardhur koha që rënia e sundimit të Vučić të fillojë. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Tre libra për ta njohur më mirë Stephen Hawking

    Lajmi i rradhës

    Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi: Ëmbla ka qenë e diskriminuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë