Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi: Ëmbla ka qenë e diskriminuar

    Qytetarët më së shumti ankoheshin për diskriminim në vendin e punës, veçanërisht në arsim dhe përkatësi politike, përcjell Nistori.

    Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi, ka konstatuar diskriminim në rastin e Ëmbla Ademit nga Gostivari, një vajzë me sindromën Down, e cila ishte penguar të vijojë mësimin e rregullt në në klasë.

    Komisioni ka hapur rast për Ëmbla Ademin më 3 shkurt. Anëtarët e Komisionit, për një periudhë dy javore, dëgjuan të gjithë palët e interesuara – prindërit e Ëmblës, mësuesit dhe psikologun i shkollës, mjekun e Ëmblës, por edhe prindërit e fëmijëve të tjerë të klasës, të cilët kundërshtuan ashpër që Ëmbla të vijonte mësimet e rregullta me shokët e klasës, duke deklaruar se ajo ka qenë agresive dhe i ka trembur fëmijët e tjerë në klasë.

    Kryetari i Komisionit, Kire Vasilev, i pyetur nga NovaTV tha se në rastin konkret pas bisedimeve është konstatuar diskriminim dhe janë dhënë rekomandime.

    “Tani ajo që duhet të bëjmë është të mbikëqyrim nëse rekomandimet e dhëna shkollës dhe vetëqeverisjes lokale po zbatohen. Nëse nuk zbatohen, do të duhet të inicojmë procedurë kundërvajtëse në gjykatën kompetente”, thotë Vasilev.

    Babai i Ëmblës, Ilir Ademi, tha për NovaTV se janë në komunikim të vazhdueshëm si me Komisionin për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Diskriminimit ashtu edhe me Avokatin e Popullit.

    “Komisioni solli vendim që të rekomandojë mësim individual për Ëmbla në një hapësirë të përshtatshme për të, dhe jo si më parë për të mësuar në hapësirë të ftohtë. Rekomandime ka pasur edhe për prindërit që kanë iniciuar peticionin. Për momentin arsimimi i Ëmblës në shkollë po shkon mirë”, tha në një bisedë të shkurtër babai i Amblës.

    Ndryshe, kryetari Vasilev në prezantimin e sotëm të Raportit vjetor tha se shumica e rasteve, nga gjithsej 220 që ka punuar vitin e kaluar, kanë qenë raste të diskriminimit në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës me publikun. Shumica e ankesave ishin të bazuara në përkatësinë etnike.

    Nënkryetari i Komisionit për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Diskriminimit, Kamberi, thotë se numri i shtuar i ankesave që kanë ardhur në muajt e fundit tregon se është rikthyer besimi i qytetarëve në punën e Komisionit.

    Për sa i përket qasjes deri te shërbimet e mira publike, pjesa më e madhe e ankesave dominohej nga diskriminimi në bazë të ngjyrës së lëkurës, origjinës sociale dhe aftësisë së kufizuar, që në vetvete tregon për ndjeshmëri të pamjaftueshme të qytetarëve ndaj kategorive të caktuara të qytetarëve.

    Nga Komisioni thonë se kanë konstatuar mangësi në Ligjin aktual për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe se së shpejti do të dorëzojnë propozime tek institucionet kompetente për ndryshimin e ligjit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    MUNDËSIA E ARTË E BEOGRADIT

    Lajmi i rradhës

    BE miraton edhe një rund sanksionesh kundër Rusisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë