Mungesa e kuadrit profesional | Studentë që mësojnë nxënësit!

    Foto ilustruese

    Lëndën e informatikës, për nxënësit e shkollës fillore të Shkupit “Lazo Angelovski” e ligjëron një student i viteve të fundit të studimeve. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për të punësuar një profesor të diplomuar, shkolla vendosi ta punësonte atë në mënyrë që nxënësit të mos humbnin mësimet. Por, kjo shkollë nuk është e vetmja në vendin tonë ku në vend të profesorëve punojnë studentë dhe mungesa e stafit pedagogjik është kthyer në problem serioz, i cili kulmon këtë vit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka të dhëna të sakta se sa studentë janë të punësuar, ndërsa thonë që po mundohen të zgjidhin sistematikisht problemin e mungesës. Përveç informatikës, profesorët më të kërkuar janë edhe në matematikë, fizikë, kimi dhe biologji.

    Drejtoresha e shkollës fillore “Lazo Angelovski”, Magdalena Petreska, thotë se problemi i mungesës së kuadrove profesionale në shkolla dita-ditës po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. “Nëse brenda pak vitesh nuk ndërmerren hapat e duhur, problemi do të jetë shumë i madh dhe i vështirë për t’u zgjidhur. Gjegjësisht, për momentin ka mungesë të kuadrit profesional në lëndë të caktuara mësimore me tendencë që mungesa e kuadrit adekuat profesional të jetë evidente në raport me pothuajse të gjitha lëndët mësimore. Shumë shpesh, lëndët si informatika, kimia, biologjia dhe matematika ligjërohen nga mësues të papërshtatshëm, apo konkretisht mësues që nuk kanë klasa të mjaftueshme për të formuar një fond të plotë”, thotë Petreska.

    Studentët e vitit të fundit, thotë ajo, nevojiten për të plotësuar mungesën e stafit mësimdhënës në informatikë dhe matematikë, ose një mësues të ligjërojë disa lëndë. “Arsimi po improvizon ndërsa fakultetet janë pa studentë të interesuar në punën e mësuesit. Askush nuk po i përgjigjet konkurseve për punë dhe po tentohet të gjinden mënyra të ndryshme ligjore që fëmijët të mos humbasin mësimin”, theksoi më tutje drejtoresha e “Lazo Angelovski”.

    Nga ana tjetër, edhe Sladjana Jakimoviq, profesoreshë e rregullt e matematikës në Fakultetin Pedagogjik “Shën Klimenti Ohrit” në Shkup, sqaron se interesimi i dobët për mësimdhënie në fushën natyrore-matematikore nuk është në rënie vetëm tek ne, por edhe në botën e zhvilluar. “Të rinjtë që kanë prirje drejt fushës natyrore-matematikore kuptojnë se mund të përparojnë në fusha tjera të ndryshme. Ata shpesh vendosin që vendosmëria e tyre profesionale nuk është në fushën e mësimdhënies, por perspektivën e kërkojnë në fusha të tjera që lejojnë një spektër më të gjerë zhvillimi në karrierë, fitime më të mira, lëvizshmëri më të madhe.

    Mungesa e kuadrit pedagogjik në këtë fushë është një problem shumë serioz, ndërsa me zgjidhjen e tij po merren edhe Bashkimi Evropian, OECD, SHBA. Ne si shtet nuk kemi shumë burime financiare për të motivuar njerëzit për të punuar në mësimdhënie. Unë besoj se ky problem duhet të zgjidhet seriozisht, në mënyrë të plotë dhe sistematike”, shprehet ajo. Nga MASH bëjnë me dije se ata ofrojnë bursa në vlerë të 300 eurove për studentët që regjistrohen në programet e studimit në lëndët matematikë, fizikë dhe kimi. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Maqedoni, kriza thelloi varfërinë në shumë familje

    Lajmi i rradhës

    Banorët e fshatit Neproshten kërkojnë përmbushjen e premtimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë