Rezultatet e Entit Shtetëror të Revizionit tregojnë se kopshtet në Maqedoninë e Veriut në maj të vitit të kaluar kanë funksionuar me 67% të kapaciteteve të mbingarkuara. Në periudhën nga viti 2020 deri më 2024 janë ndërtuar shtatë çerdhe për të cilat sipas burimeve janë paguar 263.89 milionë denarë ose 4.3 milionë euro, dhe deri në periudhën raportuese të auditivit, nuk ishin vënë në shfrytëzim për shkak të mos marrjes së pëlqimeve nga Ministria e Financave për punësimin e stafit të nevojshëm dhe nuk janë krijuar kushtet për nxjerrjen e vendimit për kryerjen e veprimtarisë.
“Efektet e investimeve të bëra me mjete buxhetore për periudhën 2020-2024 tregojnë se nga 11 kopshte të mbuluara me investime për zgjerim në 1057 vende, janë në përdorim vetëm tre çerdhe me 158 vende, që paraqet 15% mbushje në krahasim me kapacitetin e parashikuar. Konstatuam se në katër vjeçarin e kaluar 84% nga mjetet e investuara në kopshte, gjegjësisht 212.687 milionë denarë ose 3.5 milionë euro, nuk kanë rezultuar në përmbushjen e funksionit të tyre, përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve, pasi ndërtimi është në vazhdim e sipër, i cili në fakt nuk ka përfunduar për një kohë të gjatë, por edhe për shkak të ekzistencës së objekteve të ndërtuara që nuk janë vënë në përdorim edhe pas dy vitesh”, theksojnë nga EShR.
“Sinjalet më të mëdha për nevojën e kapaciteteve shtesë për vendosjen e fëmijëve në institucionet e arsimit parashkollor i dërgojnë vetë listat e pritjes për regjistrim e fëmijëve në kopshte, ku numri i fëmijëve në tetor 2024 është 4851”, tregon auditimi.
Theksohet se numri i pamjaftueshëm i punonjësve në kopshte mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e shërbimit, “sidomos kur numri i fëmijëve në grup është mbi kufirin e lejuar, ku problemi kryesor është mungesa e pëlqimeve për punësim, si dhe vështirësitë në marrjen e licencave të punës për stafin e nevojshëm”.
“Sistemi për dhënien e provimit për licencim profesional nuk funksionon që nga nëntori i vitit 2023 dhe sipas të dhënave në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, të cilat nuk janë të përditësuara dhe të kompletuara në periudhën nga viti 2020 deri në qershor 2024, 834 persona janë në pritje të provimit, gjë që ndikon në sigurimin e stafit profesional për funksionimin e vazhdueshëm të kopshtit të nevojshëm”, thuhet në auditim.
Qëllimi i auditimit, i cili mbulon periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2023, siç theksohet nga ESHR-ja, është t’i përgjigjet pyetjes nëse investimet publike në kopshte sigurojnë përdorimin efektiv të fondeve dhe kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës, mbulimin optimal dhe më të madh të fëmijëve parashkollorë si dhe kujdesin dhe edukimin e tyre.
Auditimi jep rekomandime për përmirësimin e situatës në kuadrin ligjor dhe programor të sistemit të investimeve të kopshteve, regjistrin e të dhënave të kopshteve, planifikimin, financimin dhe zbatimin e projekteve për ndërtimin, zgjerimin, përshtatjen dhe pajisjen e kopshteve, si dhe kapacitetet e kujdesit dhe edukimit të fëmijëve, me qëllim arritjen e mbulimit optimal dhe rritjen e numrit të fëmijëve parashkollorë.
“Nuk përgatiten raporte për të monitoruar nivelin e realizimit të qëllimit për sigurimin e kushteve për mbulim optimal të fëmijëve në sistemin e kujdesit dhe edukimit të fëmijëve parashkollorë, gjë që e vështirëson matjen e efekteve të aktiviteteve të realizuara. Një kuadër ligjor sistematik për menaxhimin e investimeve publike nuk është krijuar në nivel kombëtar. Të dhënat në regjistrat për kapacitetet e kopshteve si bazë për krijimin e politikave për investime në kopshte nuk janë të plota dhe të përditësuara, ndërkohë që të dhënat për shkallën e pjesëmarrjes dhe mbulimit të fëmijëve të moshës 0-6 vjeç në arsimin parashkollor të ofruara nga burime të ndryshme ndryshojnë dhe arrijnë përkatësisht 29 për qind dhe 34 për qind për vitin 2023”, thuhet në raport. /Koha/