Myslimanët në Europë ndihen të pasigurt si pasojë e luftës Izrael-Hamas

    Reuters

    Jian Omar, një ligjvënës nga Berlini me rrënjë kurdo-siriane, ndihet i pambrojtur nga policia, pasi është përballur me disa incidente si, fletushka të mbushura me urrejtje, një dritare të thyer dhe me një sulmues me çekan, prej 7 tetorit kur Izraeli u sulmua nga Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE).

    Tri incidentet në zyrën e Omarit tregojnë për rritjen e armiqësive ndaj myslimanëve në Evropë, të nxitura kohë pas kohe nga politikanët prej se ndodhi sulmi i Hamasit, thanë për Reuters më shumë se 30 liderë komunitetesh dhe avokues.

    Sipas tyre, incidentet nuk janë raportuar plotësisht për shkak të besueshmërisë së ulët në polici.

    “Unë vërtet ndihem i vetmuar dhe, nëse dikush me statusin e zyrtarit të zgjedhur nuk mund të mbrohet, atëherë si duhet të ndihen të tjerët?”, tha Omar.

    Ai tha se policia po i hetonte rastet e tij, por ia ka bërë me dije se nuk mund t’i ofrojë siguri shtesë në vendbanimin e tij.

    “Paramendojeni sikur të sulmohej një politikan i bardhë gjerman nga një refugjat apo emigrant”, tha ai, duke lënë të kuptohet se forcat e sigurisë do të bënin më shumë në ato raste. Policia e Berlinit nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.

    Krimet e urrejtjes janë rritur shumë në Evropë prej sulmit të 7 tetorit, ku mbetën të vrarë 1.200 izraelitë dhe si rrjedhojë, Izraeli e nisi pushtimin e Gazës, duke i vrarë rreth 14.800 palestinezë.

    Po ashtu, incidentet e regjistruara antisemitike u rritën për 1.240 për qind në Londër. Rritje e këtyre incidenteve u shënua edhe në Francë dhe Gjermani.

    Të dhënat zyrtare tregojnë për një rritje më të vogël të incidenteve kundër myslimanëve në Britani dhe më të vogël në Francë e Gjermani. Por, këto të dhëna nuk tregojnë për numrin e plotë të sulmeve dhe armiqësive kundër individëve dhe xhamive, përfshirë kundër fëmijëve në shkolla, sipas njerëzve që u konsultua Reuters, disa prej të cilëve kërkuan të mbesnin anonimë për shkak të frikës nga hakmarrja.

    Edhe viktimat e antisemitizmit nuk i raportojnë plotësisht incidentet, sipas grupeve të hebrenjve në këto tri vende.

    Zara Mohammed, sekretare e përgjithshme e Këshillit Mysliman të Britanisë së Madhe, tha se gjuha qeveritare, si cilësimi i protestave pro-palestineze “marshime të urrejtjes”, e ka bërë luftën kundër antisemitizmit dhe luftën për të drejtat e myslimanëve apo palestinezëve të pavlefshme sipas mendimit të shumë njerëzve.

    “Ministrat kanë qenë shumë të pakujdesshëm, shitja e këtyre luftërave kulturore dhe nxitja e komuniteteve kundër njëra-tjetrës janë vërtet të padobishme dhe janë shumë përçarëse dhe të rrezikshme, po ashtu”, tha ajo.

    Ndjesia e pasigurisë në mesin e myslimanëve evropianë u theksua edhe më shumë me fitoren e populistit të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, në zgjedhjet e Holandës javën e kaluar, i cili në të kaluarën kishte bërë thirrje për ndalimin e xhamive dhe Kuranit në Holandë.

    Në Shtetet e Bashkuara ka pasur dhunë vdekjeprurëse kundër palestinezëve prej 7 tetorit.

    Në xhaminë Ibn Ben Badis në Paris, të moshuarit kanë frikë ta falin namazin e akshamit në errësirë, thanë dy besimtarë atje, pasi në fund të tetorit një simpatizant i ekstremit të djathtë e bëri një kërcënim të shkruar për zjarrvënie ndaj kësaj xhamie.

    Rachid Abdouni, udhëheqësi i xhamisë, tha se kërkesa e tyre për mbrojtje shtesë policore nuk u pranua. Policia lokale tha se po patrullon në atë zonë, por se ka mungesë burimesh.

    “A dua që vajza ime të rritet në këtë klimë?”, tha Khalil Raboun, një shofer taksie marokeno-francez, duke folur pranë xhamisë, pas namazit të së premtes.

    Raportimi i ulët i incidenteve

    Tentimet për zjarrvënie, abuzimet verbale, vandalizmi dhe koka e derrit në një xhami ishin në mesin e më shumë se 700 incidenteve islamofobike të raportuara në Berlin në muajin pas sulmit të Hamasit, sipas organizatës së pavarur joqeveritare, Tell Mama. Tell Mama i raporton vetëm disa incidente në polici, me pajtimin e ankuesit.

    Këshilli Mysliman i Francës i pranoi 42 letra ankimore që përmbanin kërcënime apo fyerje nga 7 tetori deri më 1 nëntor, por nuk i ka raportuar asnjërën prej tyre, tha nënkryetari i Këshillit, Abdallah Zekiri. Në mesin e tyre kishte emaile me përmbajtje të urrejtjes dhe grafite raciste në xhami.

    “Shumica dërrmuese e myslimanëve nuk bëjnë ankesë kur janë viktimë e veprimeve të tilla. Madje, as krerët e xhamive nuk e bëjnë. Ata nuk i shpenzojnë dy apo më shumë orë në stacion policor për të bërë ankesë, e cila në fund shpesh hidhet poshtë”, tha Zekri.

    Në Gjermani, policia shpesh nuk i regjistron krimet islamofobike si të tilla për shkak të mungesës së vetëdijesimit, sepse, për shembull, sulmet në xhami nganjëherë regjistrohen thjesht si dëmtim i pronës, tha Rima Nanano nga organizata joqeveritare, Claim.

    “Njerëzit e prekur nga racizmi, si myslimanët dhe ata të cilët dallohen si myslimanë, shpesh druajnë a të shkojnë tek autoritetet apo jo, për shkak se kanë frikë se atyre nuk do t’u besojnë apo se mund të cilësohen si fajtorë”, tha ajo.

    Një zëdhënës i Qeverisë së Britanisë së Madhe tha se “duhet të ketë zero tolerancë për antisemitizëm, urrejtje ndaj myslimanëve, apo çfarëdo forme tjetër të urrejtjes”, duke shtuar se nga policia pritet t’i hetojë plotësisht sulmet e tilla.

    Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha se “i kundërshton të gjitha llojet e urrejtjes, përfshirë islamofobinë në veçanti”.

    Në Francë, ministri i Brendshëm, Ferald Rarmanin, e pranoi se ka rritje të sulmeve kundër myslimanëve pas 7 tetorit. Megjithatë, të dhënat zyrtare franceze për vitin 2023 tregojnë për një rënie, me 130 incidente të regjistruara deri më 14 nëntor, krahasuar me 188 incidentet të regjistruara vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.

    Një zëdhënës i Policisë Kombëtare të Francës e pranoi se të dhënat për incidentet kundër myslimanëve janë “të pakompletuara” dhe se varen nga raportimi i rasteve nga viktimat.

    Historia

    Franca dhe Gjermania zhvilluan mekanizma institucionalë për t’u përgjigjur ndaj sulmeve antisemitike pas Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore dhe si përgjigje ndaj paragjykimeve të vazhdueshme kundër hebrenjve.

    E kaluara koloniale dhe fetare e Evropës Perëndimore, po ashtu, e ka paraqitur islamin si të prapambetur dhe të huaj, duke kontribuuar në shtrirjen e paragjykimeve në mesin e një pjese të popullatës dhe institucioneve, tha Reza Zia-Ebrahimi, historian në Kings College në Londër.

    Sulmet nga militantët islamistë në Evropë apo jashtë saj sjellin shpesh pasoja për popullsinë e përgjithshme myslimane.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha javën e kaluar se “francezët e besimit hebraik nuk duhet të mbrohen duke i sulmuar publikisht njerëzit e besimit islam”, pas dëmtimit të disa xhamive dhe përhapjes së komenteve kundër myslimanëve nga analistët televizivë.

    Megjithatë, historiani Zia-Ebrahimi, tha se vendimi i Ministrisë së Brendshme të Francës për t’i ndaluar protestat pro-palestineze si rrezik për rendin publik pas sulmeve të Hamasit, nxit qëndrime se arabët janë agresorë dhe se përkrahësit e palestinezëve janë të motivuar nga antisemitizmi.

    Amnesty International e quajti këtë vendim si të paarsyeshëm.

    Komisionarja e porsazgjedhur gjermane për racizmin, Reem Alabali-Radovan, e pranoi se nevojitet monitorim më i mirë, pasi një sondazh i Ministrisë së Brendshme tregoi se një në dy gjermanë kanë qëndrime islamofobike.

    Për disa myslimanë në Gjermani, e cila i ka mirëpritur rreth një milion sirianë dhe rreth 400.000 afganë në vitet e fundit, rritja e armiqësive ishte befasi.

    Ghalia Zaghal shkoi në Gjermani nga Siria në vitin 2015 dhe thotë se kurrë nuk kishte dëgjuar për telashe të mëdha me diskriminimin. Por, pak pas sulmit të 7 tetorit, ajo ishte shtyrë dy herë brenda ditës, me një burrë që i kishte bërtitur: “Kjo është rruga ime, jo e juaja”.

    “Isha tepër e tronditur për të shkuar në polici”, tha Zaghal, e cila zotëron një sallon të bukurisë në Berlin.

    Lajmi Paraprak

    Idiotët më bindën se duhet të vazhdoj!

    Lajmi i rradhës

    BËJMË ATË QË NA THONË

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë