Ndahet Maqedonia e Veriut nga Shqipëria për në BE – Opozita reagon ashpër, pozita e quajnë fatkeqësi

    Ndarja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në rrugën drejt integrimin europian ka ngjallur reagime politike në vend.

    LSDM-ja fajëson VMRO-DPMNE-në dhe Mickoskin për dështimin e procesit të integrimit.

    Filipçe tha se ky është dështim me pasoja të mëdha duke akuzuar Qeverinë se procesin e integrimit të vendit po e rivendos në çështje bilaterale me Bullgarinë.

    “Ndarja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është dështim i rëndë i politikave të qeverisë dhe në planin e integrimit evropian të vendit. Por, para së gjithash është një katastrofë shumë e madhe për të ardhmen e qytetarëve. VMRO DPMNE-ja dhe Hristijan Mickoski qytetarëve u shërbyen një mashtrim të madh zgjedhor, përmes gënjeshtrave dhe manipulimeve, ata u përpoqën ta fshehin qëllimin e vërtetë. Kurse qëllimi i vërtetë është që as nuk kanë plan dhe as nuk duan që shteti të zhvillohet drejt BE-së. Qëllimi është të kthehemi pas dhe të rihapet një problem bilateral. Si planifikon Mickoski me retorikë përplasjesh dhe konfliktesh të sigurojë kushte më të mira në komunikimin dypalësh me Bullgarinë? “, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

    Kryeministri nga ana tjetër thotë se kjo është fatkeqësi për vendin dhe se Maqedonia e Veriut ka sakrifikuar  më së shumti nga vendet tjera kandidate në rrugën drejt BE-së.

    “Kjo me siguri do të ndodhë, kjo që kur isha në Bruksel është thënë. Kjo është një porosi e keqe për qytetarët e  Maqedonisë, pasi që ne si shtet kemi kaluar shumë në këto dy dekada kur filluam rrugën tonë drejt anëtarësimit të plot në Bashkimin Evropian dhe mendoj se shumë punë që askush nuk i ka bërë, që tani është kandidat dhe negocion, ne i kemi bërë, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me kriteret e Kopenhagës. Ne jemi rasti i vetëm që marrëveshjet bilaterale janë kusht për kornizën negociuese”, theksoi Hrisitian Mickoski.

    Bilall Kasami nga VLEN ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut e sheh si rrjedhojë e politikave të gabuara të pushtetit të kaluar.

    Si Qeveri thonë se do të angazhohen për tejkalimin e kësaj situate.

    “Ne do të kishim dashur që bashkë me Shqipërinë të ishte edhe vendimi i komisionit Evropian edhe për Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht që si rezultat i të gjitha politikave të gabuara në të kaluarën por edhe pengesave bilaterale të cilat janë me fqinjët tanë më konkretisht me njërin nga fqinjët tanë për momentin është e bllokuar dhe sigurisht që ne si qeveri punojmë seriozisht për tejkalimin e kësaj situate dhe do të kishim dashur që të kemi partner në këtë drejtim edhe në Bruksel edhe tek fqinji lindor por ne si koalicion Vlen edhe si qeveri përshëndesim avancimin e Shqipërisë por njëherësh do të punojmë seriozisht që sa më shpejtë edhe Maqedonia e Veriut të hap kapitullin e parë dhe të vazhdoj procesin e integrimit të bashkimit Evropian”, tha Bilall Kasami – VLEN.

    Rrugëtimi i mëtejmë i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së është “peng” i ndryshimeve kushtetuese, përmes së cilave duhet që bullgarët të njihen si pakicë në vend. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Si ndikon kolesteroli në shëndetin e tiroides

    Lajmi i rradhës

    Gashi thotë se nuk mund ta detyrojë Ilire Dautin që ta vendos në rend dite ligjin për branitellat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë