Rreth një milion pasaporta të vlefshme të qytetarëve duhet të ndërrohen brenda tetë muajsh. Sipas MPB-së, vetëm 40 për qind e pasaportave mbajnë emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Avokati i Popullit Naser Ziberi kritikoi Qeverinë pse të gjitha shpenzimet për ndërrimin e dokumenteve personale që dalin nga Marrëveshja me Greqinë duhet t’i paguajnë qytetarët.
Nga ana tjetër, ankohen edhe qytetarët për barrën financiare që duhet ta bartin për ndërrimin e dokumenteve personale. Ata ankohen se do të duhet të paguajnë sërish për ndryshimin e dokumenteve personale që ende nuk kanë skaduar. Disa prej tyre besojnë se nuk duhet të paguajnë vetëm se shteti ka ndryshuar emrin dhe ka nënshkruar një marrëveshje. Qytetarët besojnë se shteti duhet të mbulojë shpenzimet e ndryshimit të dokumenteve personale që janë ende të vlefshme.
Nëse pasaportat për të rritur, sipas çmimeve të reja, kushtojnë 2.300 denarë, ndërsa për të rinjtë 1.700 denarë, shteti do të paguajë mesatarisht 2.000 denarë për pasaportë. Kështu, sipas përllogaritjeve, një ndryshim prej më shumë se 60 për qind e numrit të përgjithshëm të pasaportave të vlefshme me emrin e vjetër deri në shkurt, nëse të gjitha qytetarët vendosin të ndryshojnë, në thesarin e shtetit do të grumbullohen afërsisht 32 milionë euro.
Sipas një përkufizimi të Freedom House, demokracia në Maqedoninë e Veriut po lëkundet, ka polarizim të thellë politik dhe bllokadë në Kuvend që pengon miratimin e ligjeve dhe qytetarët kanë gjithnjë e më pak besim tek institucionet. Nga atje nënvizojnë se në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor qytetarët janë të zhgënjyer nga elitat politike. “Maqedonia e Veriut është ndër vendet e Ballkanit Perëndimor ku qytetarët ndihen të zhgënjyer nga elitat vendase që kundërshtojnë reformat demokratike, pasi kjo do të dobësojë kontrollin e tyre mbi pushtetin”, vlerëson Freedom House. Raporti vë në dukje se qytetarët e Ballkanit Perëndimor ndihen gjithashtu të braktisur nga elitat ndërkombëtare, të cilave ata besojnë se u mungon vendosmëria për t’i dhënë përparësi procesit të pranimit në BE.
Edhe pse paga mesatare neto në mars të këtij viti është rritur dhe arrin në 34.925 denarë, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESSH), sindikatat reagojnë se më shumë se 90 për qind e të punësuarve në administratë ende kanë paga të ulëta të cilat mesatarisht janë më pak se 23.000 denarë. Ndërkohë që të ardhurat e mijëra punëtorëve janë në nivelin e pagës minimale, ndërkohë pagat e zyrtarëve janë rritur me 78 për qind, që është gati dyfish më shumë.
Por qeveria mburret se rritja e pagës mesatare vjen si pasojë e politikave të saj “të parashikueshme dhe konsekuente” që kanë mundësuar një rritje të vazhdueshme të standardit të jetesës. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, tha se paga mesatare neto në muajin mars i është afruar indeksit të kostos së jetesës, gjegjësisht inflacionit. “Përveç kësaj, ne krijojmë vende të reja pune me pagesë të lartë, duke sjellë investitorë që prezantojnë teknologji të reja dhe produktet dhe shërbimet e të cilëve kanë vlerë të shtuar të lartë, e cila në mënyrë të pashmangshme rrit produktivitetin e të gjithë ekonomisë vendase dhe ky është shtytësi kryesor i rritjes së pagave. të cilat gjithnjë e më shumë do të rriten”, tha Bytyqi. /koha/