PAGAT LARG MESATARES / Dikush lakër dhe oriz, dikush mish!

    Shumica e punonjësve në Maqedoni janë shumë larg të ardhurave mesatare prej afër 35 mijë denarë. Bile edhe kjo shumë është për 14 mijë denarë më pak se shporta minimale sindikaliste për një familje katër anëtarëshe, të cilën Sindikata e Maqedonisë e ka llogaritur të jetë 49.384 denarë për prill 2023. Pagën mesatare në vend përveç të ardhurave të rritura me 78 për qind për disa mijë funksionarëve të emëruar dhe zgjedhur, e rrit edhe mesatarja e madhe e pagave në shëndetësinë private, industrinë farmaceutike, teknologjitë informatike, sektorin financiar, të punësuarit në kontrollin e fluturimeve, pagat mesatare të të punësuarve në disa ndërmarrje publike…

    Të dhënat statistikore tregojnë se mbi 300 mijë të punësuar në shtet pranojnë paga nën 30 mijë denarë.

    Njohësit e ekonomisë në vend thonë se mbi 60 për qind e qytetarëve në vend pranojnë paga nën mesatare, mirëpo shtrojnë edhe pyetjen se sa mbi 130 mijë të punësuar në “punë shteti”, janë larg mesatares së pagës prej afër 35 mijë denarë. Shtojnë se edhe pagat në sektorin privat nuk janë për tu lëvduar. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se shuma e pagës mesatare nuk është pasqyrë reale e standardit të jetesës, duke pasur parasysh se mbi 100 mijë të punësuar janë me pagë minimale. “Mesatarja nuk duhet llogaritur fare sepse nuk jep një pasqyrë reale sepse një pjesë e madhe e punëtorëve ende marrin rrogë në zarf. Shumica e të punësuarve në shtet janë ndërmjet pagës minimale dhe mesatare, andaj edhe kjo pakënaqësi e përditshme për shkak të standardit të dobët të qytetarëve”, thotë Ivan Peshevski nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

    Nga LSM thonë se nuk është në rregull që funksionarët të kenë rritje kaq të madhe të pagave, ndërsa punëtorët akoma të presin rritjen e pagave. Shtojnë se punëtorët janë shumë të zhgënjyer që kanë marrë rritje me 2000 denarë në muaj, ndërsa funksionarët kanë marrë rritje prej 2000 denarë në ditë.

    Sipas statistikave, një pjesë e madhe e punonjësve marrin pagë nën mesataren. Në industrinë përpunuese, ku janë të punësuar rreth 130.000 persona, pagat variojnë nga 23 mijë në prodhimtarinë e lëkurës apo 25 mijë në prodhimtarinë e tekstilit, 34 mijë në prodhimtarinë e duhanit deri në 50.000 denarë në prodhimtarinë e pijeve. Në një situatë të ngjashme janë edhe punonjësit në sektorin publik. Në vend të përqindjes, ato kanë marrë rritje lineare të pagave dhe tani marrin mesatarisht 23.000 denarë.

    Nga Sindikata e Administratës dhe Gjyqësorit thonë se pagën mesatare në Maqedoninë e Veriut prej 34 mijë denarë e marrin vetëm dy për qind të të punësuarve në administratë dhe zyrtarëve në gjyqësor. Të gjithë të tjerët janë nën pagën mesatare. Analizat e tyre tregojnë se një pagë mesatare ose pak më e lartë merr vetëm një këshilltar shtetëror, ndërsa nivelet e tjera si shefat e departamenteve, këshilltarët dhe bashkëpunëtorët janë shumë më afër pagës minimale sesa mesatares. “Ne kemi propozuar që pagat tona të lidhen me pagën mesatare dhe të ndjekin rritjen e pagës mesatare. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që pagat për të ndjekin rritjen e inflacionit. Dhe kjo nuk është bërë në vendin tonë prej vitesh. Kemi vendosur një pagë minimale në vitin 2012 dhe inflacioni nga viti 2012 e deri më tani nuk është rritur me 14 për qind , por me 60 për qind. Përderisa pagat në sektorin publik asnjëherë nuk e pasuan inflacionin në Maqedoni“, thotë Trpe Deanovski nga Sindikata e Administratës dhe Gjyqësorit.

    Në ndërkohë akoma mbetet i parealizuar premtimi për rritje më të madhe të pagave në sektorin publik në vitin 2023. Ekzekutivi vitin e kaluar premtoi se rritja e pagave do të varet nga metodologjia e re për rritjen e pagave, rezultateve në vendin e punës, marrëveshjeve kolektive që pritej të nënshkruhen deri në fund të vitit 2022 , si dhe nga rritja e harxhimeve të jetesës dhe rritja e pagës mesatare. Ekzekutivi kishte paralajmëruar se gjatë rritjes së ardhshme të pagave në sektorin publik, do të merret parasysh edhe rritja e produktivitetit së bashku me rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofron administrata për sektorin privat, që edhe i siguron mjetet financiare për pagat e tyre. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kishin paralajmëruar se metodologjia e re e pagave në sektorin publik do të jetë gati deri në vitin e ri, ndërsa do të zbatohet që nga janari i vitit 2023. Nuk u realizuan as kërkesat e Sindikatës së Administratës për rritjen e pagave për së paku 7000 denarë si rrjedhojë e inflacionit të lartë dhe shtrenjtimit të madh të jetesës si dhe për rritjen lineare që e kërkonte Lidhja e Sindikatave një vit më parë afër 3000 denarë.

    Ndryshe, sindikalistët paralajmërojnë grevë masovike, në rast se nuk ju rriten pagat e punonjësve. Qeveria dhe sindikatat po bëjnë hesape të ndryshme për rritjen e pagave të punësuarve në administratë. Aktualisht në tryezën e bisedimeve janë dy metodologji. Ekzekutivi propozon që të gjitha pagat në sektorin publik të përcaktohen sipas pagës minimale si bazë plus një pikë plus shumëzuar me vlerën e pikës. Kjo është një metodologji që përfshin një projeksion se si do të rriteshin pagat në 4 vitet e ardhshme. Mirëpo Sindikatat nuk pajtohen me këtë metodologji dhe kërkojnë që për bazë të merret paga mesatare e cila është më e lartë dhe tani është 34.925 denarë që do të shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    PËR NJË ORË E GJYSMË NË TIRANË! Dibranët gjatë vikendeve përmes Rrugës së Arbrit

    Lajmi i rradhës

    Ndërrimi i dokumenteve personale, e gjithë barra financiare mbi qytetarët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë