Ndërron jetë njeriu më i moshuar në botë me 118 vjeç

    Ajo lindi dhjetë vjet përpara shpërthimit të Luftës së Parë Botërore: Motra André, një murgeshë franceze, e cila ishte në moshën si askush tjetër në botë. Tani më e moshuara në botë është një 115 vjeçare.

    Në Rusi qeveriste ende një car, në Gjermani një perandor dhe Tour de France u zhvillua për herë të parë: kur Lucile Randon u lind më 11 shkurt 1904, bota ishte krejt ndryshe. Ajo përjetoi dy luftra botërore, gripin spanjoll dhe pandeminë corona – më 2021 ajo u vetëinfektua në strehimoren e saj të të moshuarve me virusin corona dhe konsiderohej atëherë si personi më i moshuar në botë, që i mbijetoi COVID19. Tani Randon  mbylli sytë në moshën 118 vjeçare si njeriu më i moshuar në botë.

    “Eshtë shumë e trishtë, por ishte dëshira e saj, që të shoqëronte vëllain e saj të dashur”, citon agjencia franceze e lajmeve AFP zëdhënsin e strehimores së të moshuarve Sainte-Catherine-Labore në Toulon, ku jetonte së fundi Randon. “Për të ndarja nga jeta është një çlirim.”

    Randon për shumë kohë konsiderohej si europiania më e moshuar, përpara se të ndërrronte jetë japonezja Kane Tanaka në moshën 119 vjeçare një vit më parë. SIpas të dhënave të Gerontology Research Grouptani spanjollja Maria Branyas Morera, që jeton ende dhe është 115 vjeç, zë vendin e parë në botë si njeriu me jetëgjatësinë më të madhe.

    E lindur në një familje protestante në qytetin jugor të Francës Ales, Lucile Randon u konvertua kur ishte 26 vjeç në katolike. 15 vjet më vonë ajo hyri në një urdhër murgeshash duke punuar në një spital në Vichy me emrin motra André.

    Edhe në moshë shumë të thyer ajo kujdesej për të tjerët – agjencia e lajmeve AFP citon nga një intervistë me të: “Shumë thonë, që puna të raskapit – mua puna më ka mbajtur në jetë. Unë kam punuar deri kur mbusha 108 vjeç”, ka thënë motra André. Ndonëse ajo ishte e verbër kohët e fundit dhe në karrocën e invalidit, vazhdonte të kujdesej për të moshuar të tjerë shumë më të rinj se ajo vet.

    Kërkesat për një prove të ADN-së për analizë gjenetike ajo i refuzonte duke argumentuar: “Vetëm i madhi Zot” e di sekretin e jetës së saj të gjatë.

    Lajmi Paraprak

    Microsoft do të largojë nga puna 10 mijë punëtorë

    Lajmi i rradhës

    Friuli, një nga sekretet më të ruajtura në Evropë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë