Ndotja nga KME Manastir e dukshme me sy, por vështirë të provohet sepse nuk matet siç duhet

    Kombinati i Minierave dhe Energjetikës (KME) “Manastir” është i shënuar në raportet ndërkombëtare si një nga ndotësit më të mëdhenj të dioksidit të squfurit dhe pluhurit në Ballkanin Perëndimor, por në Maqedoni është e vështirë të provohet se Kombinati ndot dhe deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë, raportoi SDK.

    Në dy raste kur hiri u asgjësua në mënyrë të papërshtatshme, gjë që u diskutua shumë në publik, matjet e kryera nga KME-ja nuk treguan ndotje mbi nivelin e lejuar. Rasti i fundit është nga marsi i këtij viti, dhe tjetri nga janari 2015 deri në shkurt 2017, kur shtresa të mëdha pluhuri ishin të dukshme nga deponia e hirit.

    E vetmja aktakuzë kundër drejtorit të KME-së për ndotje, e ngritur nga Prokuroria Themelore Publike e Manastirit në vitin 2019, përfundoi me lirim nga akuzat në vitin 2024.

    Më 26 mars të këtij viti, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor konfirmoi sasinë e hirit në deponi që devijonin nga ato të përcaktuara në projekt, dhe Prokuroria Themelore Publike hapi një lëndë dhe po heton nëse asgjësimi i hirit është kryer në përputhje me lejen mjedisore dhe Projektin Kryesor të Minierave. Megjithatë, KME-ja tha se gjatë periudhës së shqyrtuar, vlera kufitare 24-orëshe për mbrojtjen e shëndetit të njeriut në lidhje me përqendrimin e grimcave PM10 nuk u tejkalua.

    Prokuroria në ankesë theksoi se stacionet matëse për të cilat mbrojtja kishte folur gjatë gjithë kohës ndodhen jashtë zonës së KME-së, dhe nuk ka stacione matëse në zonën ku kryhet djegia dhe brenda zonës së Kombinatit. Prandaj, Prokuroria tregoi se nuk është e qartë për ta se si gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte prani të grimcave të dëmshme mbi limitin e lejuar pranë KME-së, kur stacionet matëse në fshatrat Dedebalci, Ribarski dhe Gneotino janë rreth 10 kilometra nga Kombinati.

    Lajmi Paraprak

    Për të mbijetuar në RMV nevojiten 60 mijë denarë në muaj!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë