Ndryshimet klimatike dëmtojnë rëndë bletarinë në Dibër!

    Kushtet klimatike këtë vit në Dibër dhe në përgjithësi po ndikojnë negativisht në prodhimtarinë e mjaltit. Këtë e vlerësojnë bletarët dibranë, të cilët janë të shqetësuar për familjet bletare, pasi reshjet e shumta të shiut dhe temperaturat e ulëta, sidomos gjatë muajve prill dhe maj, nuk favorizojnë zhvillimin e bletarisë dhe prodhimin e mjaltit.

    Sipas bletarëve lokalë, kjo situatë pritet të ndikojë negativisht jo vetëm në sasinë e mjaltit të prodhuar, por edhe në uljen e numrit të bletëve. Shoqata e Bletarëve të Dibrës thekson se ndryshimet klimatike vitet e fundit kanë pasur ndikim të madh negativ në sektorin e bletarisë, pavarësisht kushteve natyrore të favorshme që ka rajoni për këtë veprimtari.

    “Jemi dëshmitarë të temperaturave të ulëta gjatë pranverës, kur fillon çelja e luleve. Ka raste kur temperaturat zbresin nën zero, çka ndikon drejtpërdrejt në mungesën e nektarit dhe në zhvillimin e bletëve. Ndërkohë, gjatë verës, temperaturat arrijnë mbi 35 apo 40 gradë Celsius, gjë që vështirëson mbledhjen e nektarit. Lulet prodhojnë nektar, por për shkak të temperaturave të larta, bletët nuk janë në gjendje ta thithin, dhe kjo ndikon në uljen e prodhimit të mjaltit”, thonë drejtuesit e Shoqatës së Bletarëve.

    Në këto kushte, parashikohet që edhe këtë vit prodhimi i mjaltit të bjerë ndjeshëm, nga një mesatare prej 20 tonësh në vitet e mëparshme. Shoqata gjithashtu njofton se për shkak të vështirësive klimatike është ulur edhe numri i bletarëve, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Aktualisht, numri i bletarëve është rreth 80, ndërsa më parë kishte deri në 130. Deri vitin e kaluar, çmimet e favorshme të mjaltit në treg e kishin stimuluar bletarinë, pasi një kilogram mjaltë kushtonte mbi 1000 denarë. Për shkak të cilësisë së lartë, mjalti dibran ka pasur gjithashtu treg të sigurt.

    Bletaria zhvillohet kryesisht në fshatrat kufitare të Dibrës, si Konjarë, Sollokiq, Bomovë, Xhepishte, Otishan etj. Edhe bletarët e këtyre zonave ankohen për ndikimin negativ të kushteve klimatike. Shoqata thekson se prodhimi bio i mjaltit realizohet aktualisht vetëm nga disa bletarë, por gjithashtu nënvizon rëndësinë pozitive të subvencioneve që jep shteti për këtë sektor.

    Shqetësime për ndikimet klimatike kanë edhe shoqatat lokale të ekologëve. Ambientalistët dibranë vlerësojnë se masat aktuale të marra nga institucionet janë të pamjaftueshme, pasi ulja e numrit të insekteve pjalmuese, si bletët, grerëzat dhe fluturat, ndikon deri në 80 për qind në uljen e rendimentit të të mbjellave. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Një njësi zgjedhore, e dëmshme për shqiptarët!

    Lajmi i rradhës

    Investimet publike, miliona në letër – rajonet ende në vendnumëro!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë