NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Pushteti do të “luftojë” deri në fund

    Dorëheqjet e kushtëzuara të ministrave të BDI-së të paralajmëruara nga Ali Ahmeti edhe zyrtarisht i’u dorëzuan kryeministrit Kovaçevski, të nënshkruara individualisht nga të gjithë ministrat e BDI-së. Nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së votojnë për ndryshimet kushtetuese, automatikisht do të aktivizohen dorëheqjet e ministrave. Dhe jo vetëm kaq – Osmani bëri të ditur se BDI-ja si parti opozitare më pas do të heqë dorë nga pozitat që do të kishte në Qeverinë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe nga posti i kryeministrit të parë shqiptar për 100 ditët e fundit të Qeverisë. “Qytetarët kërkojnë Evropën nga ne, kërkojnë prosperitet, stabilitet, të planifikojnë jetën e tyre këtu në vend. Ne kemi bërë hapin tonë – po tërhiqemi nga të gjitha pozitat tona vetëm për hir të asaj ëndrre të qytetarëve”, tha Osmani.

    Lidhur me qëndrimin e opozitës se tani në tavolinë janë vetëm zgjedhjet e parakohshme, Osmani vlerësoi se me këtë dalin në pah agjendat personale dhe partiake, në kundërshtim me interesat shtetërore. Ai ka deklaruar se ka besim se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin. Por nëse kjo nuk ndodh, ai është i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. “Zgjedhjet do të jenë të rregullta, në pranverën e vitit të ardhshëm dhe deri atëherë, deri në ditën e fundit do të punojmë për sigurimin e një të ardhmeje evropiane për qytetarët dhe besojmë se do t’ia dalim, sepse ne i kemi qytetarët pas”, u shpreh Osmani.

    Ish zëvendëskryeministrja Radmilla Shekerinska, ka deklaruar se partitë në pushtet mund të dalin me një propozim konkret dhe të qartë në të cilin do t’i bëjnë thirrje opozitës të votojë për ndryshimet kushtetuese dhe para kësaj do të ofrojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje nga të gjitha partitë parlamentare me të cilën do të marrin përsipër të rishikojnë amendamentet kushtetues nëse Bullgaria vazhdon me bllokimin e procesit.  “Kjo nuk është një zgjidhje “elegante”, por mund ta kryejë punën për sa i përket garancive reale politike se të dyja palët do të kenë interes që zgjerimi të funksionojë. Ngjashëm me kthimin e procesit të zgjerimit të BE-së duan të besojnë se secili vend do të ecë përpara në drejtim të reformave, por ata gjithashtu kanë një plan mbështetës në rast se nuk shkojnë punët si duhet. Rrëshqitja e reformave do të nënkuptojë edhe kthimin e procesit të zgjerimit me atë vend”, thotë ajo.

    Dragan Tilev, këshilltar Shtetëror për Politika dhe Koordinim Evropian në Sekretariatin për Çështje Evropiane, thotë se vendimet që duhet të na çojnë përpara në procesin integrues duhet të merren sa më shpejt të jetë e mundur sado të vështira të jenë ato. “Deri më tani nga përvojat në procesin e zgjerimit nuk është vërejtur që të ketë ndryshuar ndonjë Kornizë Negociatore e miratuar unanimisht nga BE-ja. Vihet re shembulli i Malit të Zi dhe Serbisë, ku një vendim politik i Këshillit të BE-së, i pranuar nga të dyja palët, vetëm se e përshtati procesin për të përfshirë disa elementë të Metodologjisë së Re (miratuar në mars 2020), por nuk u bënë ndryshime në ato korniza”, shprehet Tilev.

    Sipas tij, situata është unike pas takimit të Ohrit të 18 marsit 2023 dhe marrëveshjes verbale ndërmjet Serbisë dhe BE-së për plotësimin e Kornizës Negociuese për Serbinë me elementet e marrëveshjes në kuadër të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e lehtësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA.

    Ai kujton gjithashtu se në vitin 2024 priten zgjedhjet për përbërjen e re të Parlamentit Evropian, një kryetar të ri të Këshillit Evropian, një kryetar të ri të Komisionit Evropian dhe një përbërje të re të Komisionit, i cili do të përcaktojë edhe një program me të reja prioritetet për mandatin e saj të ardhshëm, në kushtet e konfrontimit kompleks gjeopolitik. “Lufta në Ukrainë nuk do të ndalet së shpejti dhe marrëdhëniet ekonomiko-ushtarake me Kinën do të intensifikohen, duke pasur parasysh se do të ketë zgjedhje vendimtare në SHBA dhe do të ketë zgjedhje edhe në Rusi. Do të përmend vetëm se edhe në vendin tonë do të zhvillohen zgjedhje, presidenciale dhe parlamentare. Si anëtare e NATO-s dhe vend që po negocion për anëtarësim në BE, ne kemi zgjedhur anën e duhur shumë kohë më parë, tani është koha për vendime të reja”, thotë Tilev.

    Profesoresha universitare Renata Deskoska, ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese nuk janë proces i lehtë për shkak të shumicës së kërkuar dhe konsensusit të nevojshëm. “Kërkesa që ato të jenë kusht fillestar për negociata flet për vullnetin e keq të Bullgarisë ndaj procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Nga ana tjetër, provokimet e vazhdueshme nga pala bullgare me deklarata të tipit se ndryshimet kushtetuese janë hapi më i lehtë, janë një tregues i mjaftueshëm i vështirësisë së procesit që vijon. Kjo në mënyrë të pashmangshme imponon nevojën për pjesëmarrje aktive të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në disa procese të bashkëpunimit të përbashkët ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Për shembull, pjesëmarrja e historianëve të huaj të njohur në Komisionin Historik është një hap me të cilin bashkësia ndërkombëtare do të garantonte se procesi do të bazohet në fakte shkencore dhe jo në shantazh”, vlerëson Deskoska.

    Ndryshe, nevojën e miratimin e ndryshimeve kushtetuese e theksojnë edhe përfaqësues të Bashkësisë Ndërkombëtare të cilët thonë se është çelësi për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe se i gjithë procesi duhet çmitizuar dhe përmes tij nuk do të humbasë identiteti, gjuha apo historia. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    KEQPËRDORIMI I UJIT | Restrikcione në Dibër

    Lajmi i rradhës

    Përmirësohen kushtet e burgut të Tetovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë