I njohur për qëndrimin e tij të prerë ndaj presidentit amerikan Trump, kryeministri kanadez Mark Carney po qendron në Evropë dhe ka një kërkesë të qartë: një “aleancë unike” me BE. Ç’pamje mund të ketë ajo?
Tonin e përcaktoi vetë Carney ende para nisjes, duke deklaruar se “synon një aleancë unike” me BE. Deklarata erdhi pas një raportimi të Wall Street Journal sipas të cilit Kanadaja po shqyrton mundësinë për t’u bërë “anëtare e asociuar” e BE — pa dashur, megjithatë, anëtarësim të plotë.
Vizionin e tij për marrëdhëniet e ardhshme BE-Kanada, Carney do ta paraqesë të enjten (17.09.2026) në një fjalim para Parlamentit Europian; një ditë më parë ai ishte i pranishëm si i ftuar nderi kur presidentja e Komisionit, von der Leyen, të mbajti fjalimin mbi gjendjen e Bashkimit Europian.
Cilat forma bashkëpunimi ekzistojnë?
Vendet anëtare të BE janë të lidhura fort mes tyre: treg i përbashkët, politikë e njësuar tregtare e doganore.
Me vendet jashtë Bashkimit Evropian, gama e marrëdhënieve të mundshme është e gjerë — nga thjesht heqja e tarifave doganore në marrëveshjet e tregtisë së lirë, te marrëveshjet e asociimit me elementë edhe politikë, e deri te pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në tregun europian, siç ndodh sot me Islandën, Lihtenshtajnin apo Norvegjinë.
Spekulimet për një anëtarësim të asociuar të Kanadasë , Komisioni Europian nuk i komentoi të hënën. Marrëveshje asociimi ekzistojnë tashmë me Turqinë, Izraelin apo Ukrainën, secila me qëllime të veta — herë si hap paraprak drejt anëtarësimit të plotë, herë jo.
Vetë termi “asociim” e bën të ndalet ekonomistin Patrick Leblond, nga Universiteti i Otavës: sipas tij, është pa gjasa që Kanadaja të përvetësojë legjislacionin europian apo t’i bashkohet tregut të brendshëm dhe bashkimit doganor të BE, gjë që do të nënkuptonte edhe një tarifë doganore të përbashkët ndaj vendeve të treta.
Ajo që synon Carney, thotë Leblond, është më shumë një lloj aleance — me thellim bashkëpunimi veçanërisht në siguri ekonomike e mbrojtje.
Bashkëpunim më i ngushtë në mbrojtje?
“Në njëfarë mënyre, ne e kemi marrë të mirëqenë çadrën mbrojtëse amerikane,” thotë Leblond për DW — prandaj as BE-ja, as Kanadaja nuk kanë investuar sa duhej në ushtritë e tyre. Tani bëhet fjalë për bashkim forcash, qoftë në prodhimin e armatimeve, qoftë në zhvillimin e teknologjive të reja.
Potencial të madh në politikën e mbrojtjes sheh edhe Anand Sundar, ekspert sigurie pranë European Council on Foreign Relations (ECFR, Këshilli Europian për Marrëdhënie të Jashtme). Rreth 70 përqind të buxhetit të saj mbrojtës, Kanadaja e shpenzon sot në SHBA — diçka që Carney synon ta ndryshojë, sipas Sundarit, pasi për kanadezët do të ishte fitimprurëse të bëheshin pjesë e projekteve europiane të armatimit: për të marrë”më shumë për të njëjtën shumë parash”.
Kanadaja tashmë i është bashkuar programit SAFE të BE (“Security Action for Europe”, Veprim Sigurie për Evropën), që vë në dispozicion deri në 150 miliardë euro hua për shtetet anëtare të BE-së, për blerje të përbashkëta armatimi. Në prokurimet në fjalë, jo më shumë se 35 përqind e kostos së komponentëve mund të vijë nga jashtë BE, Zonës Ekonomike Europiane apo Ukrainës — por, meqë Kanadaja hyri në program duke paguar një tarifë, për firmat kanadeze vlejnë rregulla më të favorshme.
Pengesat mbeten megjithatë të mëdha për firmat kanadeze, thotë Sundar: çështja kryesore është sa gati është BE-ja t’i zbusë rregullat e veta, gjë që do të prekte edhe vende të tjera jashtë Bashkimit, si Britania e Madhe apo Norvegjia.
Kanadaja si “fuqi mbrojtëse e nënvlerësuar”
BE ka çfarë të fitojë nga kjo aleancë: edhe pse shpenzon vetëm 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, Kanadaja investon për të më shumë sesa 14 vendet më të vogla anëtare të BE-së të marra së bashku — dhe kjo shifër, sipas Sundarit, do të rritet në vitet e ardhshme.
Si vendet e tjera të NATO-s, edhe Kanadaja është zotuar të arrijë deri në 2035 shpenzime mbrojtëse prej 5 përqind: 3,5 përqind për armatime, 1,5 përqind për fusha të tjera të lidhura me mbrojtjen.
Mbrojtje e infrastrukturës kritike dhe tregti më intensive
Fusha të tjera bashkëpunimi që po diskutohen, sipas Leblond-it, janë infrastruktura kritike — operimi i përbashkët i satelitëve apo i kabllove nën det me fibra optike në Atlantikun e Veriut — përsëri me synim uljen e varësisë nga SHBA-ja dhe kompanitë amerikane. Kanadaja zotëron edhe rezerva nafte e gazi që mund t’i shërbenin furnizimit të BE.
Marrëdhëniet tregtare mes dy palëve rregullohen tashmë nga CETA, marrëveshja e gjerë ekonomike dhe tregtare në fuqi provizorisht që nga shtatori 2017: ajo garanton heqje pothuajse të plotë e tarifave doganore, akses të ndërsjellë në treg për mallra industriale, produkte bujqësore e shërbime, si dhe mundësi për firmat europiane që të marrin pjesë në tenderat publikë kanadezë.
Potencialin e kësaj marrëveshjeje, Leblond e sheh ende të pashfrytëzuar plotësisht — shumë firma kanadeze vazhdojnë të orientohen tradicionalisht drejt SHBA e më pak drejt Evropës, ndaj sipas tij qeveria ka detyrë ta bëjë CETA-n më të njohur dhe të thellojë shkëmbimet që marrëveshja parashikon.
Pse i afrohet Carney Evropës?
Në fillim të vitit, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Carney mbajti një fjalim të ndjekur gjerësisht, ku foli për një “shkëputje” nga rendi i vjetër botëror dhe u bëri thirrje fuqive të mesme të bashkoheshin, për të mos përfunduar në “menynë e ushqimit” të fuqive të mëdha — thirrje që merr peshë të re teksa konflikti tregtar mes SHBA-së dhe Kanadasë është ashpërsuar javët e fundit.
Ndonëse është e qartë se Kanadaja e nuk mund të shkëputet plotësisht nga SHBA, bindja se asaj i duhen aleatë të tjerë po forcohet në vend, thotë Leblond — dhe evropianët konsiderohen të besueshëm. Në fund të fundit, kanadezëve u intereson një gjë: që kjo “aleancë”, cilëndo formë të marrë, të përkthehet në projekte konkrete, ku evropianët ta kanadezët ndihmojnë njëri-tjetrin. DW




