Në Gostivar parkimi zonal do të menaxhohet nga ndërmarrja publike

    Ndërmarrja Publike “Parkingjet dhe Gjelbërimi” në Komunën e Gostivarit në të ardhmen vet do të menaxhojë me parkimin zonal. Deri më tani, menaxhimi është bërë me ndërmarrje private ku inkasimi i mjeteve nga parkimi është ndarë me përqindje. Kjo ndërmarrje tashmë ka arritur që vet të sigurojë softuerin, i cili rregullon parkimin zonal. Tash e tutje, mjetet që do të inkasohen nga parkimi zonal do të mbeten në buxhetin e ndërmarrjes dhe kjo do t`i jep mundësi ndërmarrjes “Parkingjet dhe Gjelbërimi”, në Komunën e Gostivarit, që mjetet t`i shfrytëzojë për investime në këtë segment, sidomos në rritjen e numrit të vendeve të parkimit.

    Sipas Bekim Çelebiu, drejtor i ndërmarrjes publike “Parkingjet dhe Gjelbërimi”, çmimet e parkimit zonal në territorin e komunës së Gostivarit do të mbeten të njëjta. “Në të kaluarën, koncesioni për mirëmbajtjen e parkimit zonal në Komunën e Gostivarit ka qenë 35 për qind. Ndër vite, ky koncesion është ulur në 20 për qind, pastaj në 15 për qind, kurse këtë vit e kemi hequr tërësisht. Ne kemi bërë prokurorim publik, kemi blerë softuerin dhe ky softuer tashmë është në pronësi të Ndërmarrjes Publike Parkingjet dhe Gjelbërimi dhe të gjitha të hyrat që do të inkasohen do t`i mbeten ndërmarrjes. Çmimet do të mbeten të njëjta si kanë qenë në të kaluarën. Ky softuer ndërmarrjes i ka kushtuar rreth një milion e gjysmë denarë”, thotë Çelebiu.

    Në ndërkohë, Ndërmarrja Publike “Parkingjet dhe Gjelbërimi” në Komunën e Gostivarit që vitin e kaluar kishte paralajmëruar se do të bëjë ndryshime për të rritur kapacitetet e parkimit. “Në programin e vitit 2021, kemi paraparë ndryshimin e parkimit zonal edhe atë nga parkimi paralel do të bëjmë vende parkimi në kënde. Ky ndryshim do të rrisë numrin e vendparkimeve edhe atë për 240 vende të reja. Me këtë ndryshim, në qytetin e Gostivarit do të kemi gjithsej 1040 vende parkimi”, deklaroi Çelebiu. Aktualisht, në territorin e Komunës së Gostivarit ka 840 vende parkimi që shfrytëzohen për parkim zonal dhe gjithnjë është potencuar fakti se ky numër nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat dhe gjithnjë ka mungesë të vendeve të parkimit. Zgjidhja për këtë problematike disa herë është parë tek ndërtimi i parkingjeve në kate. Në Komunën e Gostivarit tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet sa i takon dokumentacionit për ndërtimin e këtyre parkingjeve në kate, por pritet investitorët e mundshëm për ti realizuar. Problemi me mungesën e vendeve të parkimit pritet të shfaqet gjatë muajve të verës, ku këtë vit me lehtësimin e masave nga pandemia Covid 19, shumë mërgimtarë do të kthehen në vendlindje gjatë muajve të verës.

    Problemet e kësaj natyre nuk ishin shfaqur gjatë verës 2020, kur shumë pak mërgimtarë ishin kthyer në vendin e tyre të lindjes, por këtë vit – autoritetet komunale do të duhet që të angazhohen më shumë në bashkëpunim me policinë për të gjetur zgjidhje rreth parkimit. /koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Qerim Panariti dhe një leksion gazetarisë së sotme shqiptare

    Lajmi i rradhës

    Pse semaforët në Japoni janë blu?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë