Në Kërçovë vazhdon protesta kundër banesave sociale! Dehari: Kjo rezistencë ka bazë raciste dhe nacionale, jam i shqetësuar!

    Për të dytën ditë me radhë vazhdon rezistenca e banorëve të lagjes “Ivanidoll” në Kërçovë, kundër ndërtimit të banesave sociale në këtë lagje.

    Ata të prerë qëndrojnë pas vendimit se nuk do të lejojnë që ato banesa sociale të ndërtohen në lagjen e tyre. Kjo për shkak se siç thonë banorët, do të kenë probleme me këtë kategori të rrezikuar sociale. Kohë më parë kanë nënshkruar edhe peticion për të kundërshtuar realizimin e këtij projekti, por siç pohojnë kanë hasur në vesh të shurdhër.

    Kërkojnë takim me kryetarin e Komunës së Kërçovës Fatmir Deharin për të gjetur një zgjidhje për mosrealizimin e projektit.

    “Presim përgjigje sot që të takohemi me kryetarin dhe të vazhdojmë me bisedimet e mëhershme në lidhje me problemin që e kemi këtu në lagjen “Ivanidoll”, shpresoj të takohemi me kryetarin dhe të gjejmë një zgjidhje për këtë problem që sa më parë të kryhet”, tha një banor.

    “Nëse bëni një anketë të mirë do të shihni edhe shqiptarë edhe turq edhe maqedonas, d.m.th.  ne nuk kemi asgjë kundër asnjë bashkësie etnike, ne jemi kundër një kategorie të njerëzve pa dallim kujt përkatësie etnike i përkasin, siç e dini ata janë kategori e cila me problem familjare, të cilët kane problem me ligjin, të cilët ndeshen çdo ditë më MPB-në “, tha një banor tjetër.

    Kryetari i Komunës së Kërçovës për TV21 thotë se situata e krijuar është për të ardhur keq, sepse sipas tij po paragjykohen njerëz të kategorive të rrezikuara sociale. Ai këtë veprim e quan racist dhe nacionalistë.

    “Të hasësh në një rezistencë të këtillë, të mohosh një pjesë të komunitetit që jeton bashkë dekada me radhë, për mua fatkeqësisht ka bazë nacionale, ka bazë racore dhe për këtë jam i shqetësuar jashtëzakonisht, edhe pse u përpoqa tu sqaroj se në fund të fundit komuna vazhdon të realizojë projekte që kanë të bëjnë me jetë më të mirë të qytetarëve dhe romët janë pjesë e këtij vendi, pjesë e këtij shteti”, tha Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërçovës.

    Kujtojmë se projekti quhet” Programi për banesa sociale për Romët në Kërçovë” dhe financohet nga BE-ja në bashkëpunim me Komunën e Kërçovës në vlerë prej 800,000 mijë eurove.

    Lajmi Paraprak

    Iu dogj shtëpia, tetovari ankohet se Kasami nuk e ndihmoi!

    Lajmi i rradhës

    VENDIM I RI – Çmimi i benzinës mbetet i njëjtë, ndërsa dizeli ulet për tre denarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë