Në kërkim të “Abetares” edhe për shqiptarët e Iliridës, të Malësisë dhe të Çamërisë | Skenografia e Ballistëve të Shkëndijës me mesazh ndaj politikës shqiptare

    Banderola e shfaqur nga “Ballistët” e KF Shkëndija / Fotografia: Lirim Shabani

    Kur futesh në stadium për të parë ndeshjet e KF Shkëndija, përjetoni adrenalinë dhe trazim emocionesh, kjo për shkak të golave të bukur, aksioneve, por edhe atmosferën që krijojnë tifo grupi “Ballistët”. Atmofera elektrizuese nga “Ballistët” e Shkëndijës së Tetovës nuk kalon asnjëherë pa u komentuar. Kështu ndodhi edhe sot në ndeshjen ndërmjet KF Shkëndija dhe KF Shkupi, shkruan Nistori.

    Në dallim nga format dhe mesazhet që kanë shfaqur deri më tani “Ballistët”, banderola e sotme kishte të bëjë me abetaren shqipe “unike” që promovoi Shqipëria më herët, me të cilën do të mësojnë filloristët e Shqipërisë dhe Kosovës, por të privuar do të jenë nxënësit e trojeve tjera shqiptare, kjo për arsye politike.

    Banderola e shfaqur nga “Ballistët” ishte mesazh për politikën shqiptare brenda vendit, por edhe përtej kufijve: ABETARE EDHE PËR SHQIPTARËT E ILIRIDËS, MALËSISË DHE ÇAMËRISË.

    Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut është hapur debati për abetaren shqipe të unifikuar, pasi pjesë e këtij rrugëtimi duhet të jenë edhe shqiptarët e trojeve tjera. I pari ka reaguar publicisti Bardhyl Zaimi, duke deklaruar se ky veprim i ministrive të Kosovës dhe Shqipërisë është diskriminues.

    “Është tërësisht e padrejtë që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të privohen nga abetarja shqipe ” unike. Është një lloj akulturimi që na vjen nga vetvetja, nga mendjet politike që haberin nuk e kanë për identitetin kulturor dhe gjuhësor. Kultura dhe gjuha shqipe është një, por politikën e kemi copa-copa. Nga abetarja fillon akulturimi dhe metastazon edhe në të gjitha tekstet tjera paçavure me të cilat mësojnë nxënësit shqiptarë këtu. Një identitet i përkthyer etatist dhe antieuropian!” – shkruan Zaimi.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama më herët tha se e njëjta do të dërgohet në Maqedoninë e Veriut dhe shtetet e tjera ku ka shqiptarë.

    “E kemi fituesin e Abetares. Ka mbaruar faza e parë. Do ta dërgojmë këtë Abetare edhe në Maqedoni dhe në shtetet e tjera për rreth ku ka shqiptarë”, është shprehur Rama.

    Edhe ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, paralajmëroi se abetarja e përbashkët do të mbërrijë edhe në vendin tonë.

    “Do të jemi pjesë e atij rrugëtimi për abetaren e përbashkët. Që do të thotë se do të jetë edhe në vendin tonë abetare të përbashkët. Të dyja shtetet, ai i Shqipërisë dhe i Kosovës, kanë bërë thirrje për botimin dhe paraqitjen e autorëve të cilët kanë konkurruar, janë në procedurë. Pas publikimit të abetares atje së përbashkët, dhe më pas do të futet edhe në sistemin tonë arsimor.” – deklaroi Shaqiri. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Sherret mes Mickoskit dhe Arsovskës nuk iu interesojnë shkupjanëve, ata presin punë dhe realizim të projekteve”

    Lajmi i rradhës

    Mungesa e kaliumit dhe depresionit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë