Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve

    Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, nga sot qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar. Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur në orën 09:00.

    Në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) konfirmon rezultatin e peticionit, kjo do t’i hapte rrugë shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në komunat në veri që u zgjodhën në prill të vitit 2023, pasi zgjedhjet u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

    Qytetarët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut thanë se vendimi i serbëve për bojkotimin e zgjedhjeve lokale, megjithatë, ishte i gabuar.

    Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe përfaqësuesit e saj u larguan nga institucionet e Kosovës dhe nxitën largimin edhe të serbëve të tjerë.

    Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, në Mitrovicë të Veriut ka interesim të madh të qytetarëve për të nënshkruar peticionin.

    “Jam e befasuar për të mirë dhe besoj se do ta përfundojmë këtë brenda dy ditësh”, tha për Radion Evropa e Lirë, Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e peticionit, teksa komentoi interesimin e madh të qytetarëve për të nënshkruar peticionin në Mitrovicë të Veriut.

    Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

    Sipas KQZ-së, në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

    Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

    Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.

    Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.

    E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.

    Lista Serbe, e organizuar për nënshkrimin e peticionit

    Në vendet ku po grumbullohen nënshkrimet e qytetarëve ishin të pranishëm përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Sipas gazetarëve REL-it, në krye të radhëve të gjata të qytetarëve në Mitrovicë të Veriut ishte kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek. Aty u panë edhe zyrtarët e kësaj partie, Igor Simiq dhe Millan Radojeviq, ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe Goran Rakiq, ish-udhëheqësi i Listës Serbe, i cili ishte në listën e kandidatëve nga radhët e Partisë Progresive Serbe (SNS) për deputetë në Kuvendin e Serbisë.

    Zllatan Ellek, kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë më 17 janar 2024.
    Zllatan Ellek, kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë më 17 janar 2024.

    Reporteri REL-it raportoi se në Leposaviq, në vendin ku po mblidhen nënshkrimet për peticionin, ishte i pranishëm edhe Zoran Todiq nga Lista Serbe, i cili më parë ka udhëhequr këtë komunë.

    Lista Serbe kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar. Largimi nga institucionet u bë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndërrimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia në ato që lëshohen nga Kosova, por që atëherë kjo çështje është zgjidhur.

    Mirëpo, në mesin e tetorit të vitit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.

    Ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja në mënyrë që “levat kryesore të pushtetit të jenë në duart e tyre”.

    Kësaj thirrjeje i parapriu një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë një polic. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

    Thirrje për nënshkrimin e peticionit

    Në Mitrovicë të Veriut, peticioni po mbahet pasi asamblistët komunalë miratuan kërkesën e iniciatorit që mbledhja e nënshkrimeve të bëhet në sallën e sportit në këtë komunë në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Ndërkaq në Leposaviq, sipas njërit nga iniciatorët e peticionit, Vesellin Radoviq, është marrë leje që të shfrytëzohet hapësira para komunës për mbledhjen e nënshkrimeve.

    Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e kërkesës për nisjen e peticionit në Mitrovicë të Veriut, përmes mediave paraprakisht njoftoi qytetarët që të marrin me vete dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e peticionit.

    Ajo ftoi qytetarët që të nënshkruajnë kërkesën për shkarkimin e kryetarit aktual të komunës, duke u bërë thirrje edhe drejtorëve të institucioneve që financohen nga Serbia dhe punonjësve të këtyre institucioneve, që kanë vendbanim në Mitrovicë të Veriut, të marrin me vete letërnjoftimet dhe të nënshkruajnë peticionin.

    Sipas disa burimeve të Radios Evropa e Lirë, mesazhe me thirrje të tilla për nënshkrimin e peticionit u janë dërguar punëtorëve të Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicë të Veriut, mësimdhënësve, punëtorëve të institucioneve komunale që punojnë sipas sistemit serb, si dhe atyre që janë larguar nga institucionet e Kosovës më 2022, por që tani paguhen nga buxheti i Serbisë.

    Radio Evropa e Lirë ka mësuar se drejtuesit e institucioneve paralele u kanë thënë punëtorëve që janë në pushime dimërore dhe nuk gjenden në Mitrovicë të Veriut, se mund ta nënshkruajnë peticionin deri më 21 janar.

    Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

    Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.

    Qytetarët në Leposaviq duke nënshkruar peticionin për largimin e kryetarit të kësaj komune. 17 janar 2024
    Qytetarët në Leposaviq duke nënshkruar peticionin për largimin e kryetarit të kësaj komune. 17 janar 2024

    Baza ligjore për largimin e kryetarëve të komunave

    Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.

    Mirëpo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 janar. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar.

    Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

    Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

    Nisja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në komunat në veri, nxiti tensione në fund të majit të kaluar, tensione që kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Messi ka fituar pothuajse gjithçka në karrierë, ky është çmimi i vetëm që i mungon

    Lajmi i rradhës

    Gjyshërit që për herë të parë udhëtuan pa viza te nipi e mbesa

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë