Në Pelenicë të Draçevës ka mbi 40 mijë tonë lindan të deponuara pa kurrëfarë mbrojtje

    Grimca të larta të lindanit (HCH) të mbuluara me mbeturina prej qelqi, kanë treguar kontrollimet e Ministrisë së Mjedisit Jetësor që i ka bërë në lokalitetin Pelenicë i cili ndodhet mbi vendbanimin Draçevë të Shkupit. Mbeturina e rrezikshme nga OHIS-i nuk është vendosur në pishinat e betonit, siç është rasti me dy deponitë në qarkun e fabrikës, që e bën Pelenicën veçanërisht të rrezikshme në aspektin e ndotjes së tokës dhe ujërave nëntokësorë, shkruan Meta.mk

    Sipas kontrolleve në disa stacione matëse të vendit, grimcat e larta të HCH-së janë detektuar në shtresën mbuluese, në thellësi prej më pak se 20 centimetra. Mbeturina e rrezikshme është përzier me mbeturinë ndërtimore dhe mbeturinë nga fabrika për qelq, ndërkaq në thellësi prej gjysmë metrash është gjetur lindan i pastër.

    “Deponia përmban disa lloje të mbeturinave të rrezikshme. HCH të pastër ka rreth 40.000 tonë dhe 6.5000 tonë të përzier, bashkë me mbeturina nga fabrika për qelq. Mostrat e marra nga lokacioni përmbajnë grimca të larta të klorobnzeneve dhe dioksinave dhe furaneve. Vetëm një fuçi metalike ishte me mbeturina, fuçitë tjera ndoshta janë larguar në të kaluarën, ndërkaq përmbajtja nga e njëjta është hedhur në lokacion. Ka edhe mbeturinë ndërtimore dhe nga prishjet”, thuhet në raportin e Ministrisë.

    Toka e cila është nën deponinë, gjithashtu është e kontaminuar me lindan, por tani për tani nuk dihet se sa është trashësia. Janë ndotur edhe ujërat nëntokësorë në afërsi të lokalitetit dhe ekziston rrezik për shpërndarjen e ndotjes. Ajo që është më e rrezikshme, sipas kontrollit, është kontaminimi i shtresës sipërfaqësore të tokës në Pelenicë, pasi që mbeturina e rrezikshme është e pranishme në zonë kontakti.

    Nga Ministria informojnë se ka tre opsione për rehabilitim, ndërkaq si më e mira është vlerësuar opsioni për mbulimin e lokacionit, përfshirë edhe argjinaturën, që të parandalohet kontakti direkt me tokën sipërfaqësore të kontaminuar dhe të kufizohet infiltrimi i ardhshëm i ujërave të shiut në lokacionin në fjalë. Ujërat e kontaminuar nëntokësorë do të monitorohet, ndërkaq është e mundshme që të ketë dhe kufizime për përdorimin e tyre, në varësi prej rezultatit të monitoringut.

    Hulumtimin e ka bërë kompania Dekons Ema, bashkë me zbatuesin TAUW nga Holanda gjatë muajit nëntor, ndërkaq marrjen e mostrave e ka ndjekur edhe ekipi i auditimit i përbërë prej profesorëve nga Instituti për Kimi në Fakultetin Matematiko – Natyror. Analiza e mostrave bëhet në laboratorin “Eurofins” në Holandë dhe ka kushtuar rreth 3 milionë denarë.

    Rreziku që fshihet në lokalitetin Pelenicë është temë për të cilën Portalb.mk dhe Meta.mk ka shkruar disa herë në katër vitet e fundit. Sipas informacioneve, supozohet se lindani është depozituar këtu në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar nga OHIS, pasi u ndalua prodhimi dhe përdorimi i tij. Ndërkohë, Pelenica përdorej për organizimin e ekskursioneve shkollore, përpara të rrethohej dhe lëvizja ndalohej tre vite më parë.

    Lindani klasifikohet nga Shoqata ndërkombëtare për  hulumtimin e kancerit si kancerogjen i grupit 1 me prova të mjaftueshme që shkakton limfomën jo-Hodgkin. Është një kimikat rezistent që nuk shpërbëhet në mjedis për një periudhë të gjatë kohore. Meqenëse është një substancë e paqëndrueshme, ajo shpërndahet nga toka e kontaminuar dhe gjithashtu përmbahet në grimcat PM. Ekspozimi ndaj lindanit mund të ndodhë nga konsumimi i ushqimit të kontaminuar ose nga thithja e ajrit të kontaminuar me lindan. Ekspozimi kronik (afatgjatë) i inhalimit ndaj lindanit tek njerëzit është shoqëruar me çrregullime të mëlçisë dhe gjakut, si dhe me çrregullime të sistemit nervor, kardiovaskular, imunitar dhe riprodhues.

    Lajmi Paraprak

    Emigrimi drejt Europës po e shpopullon, Ballkani vuan sot nga mungesa e fuqisë punëtore

    Lajmi i rradhës

    PELE DHE FUTBOLLI / Të gjitha rekordet e brazilianit, titujt dhe trofetë individualë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë