Portalet në Maqedoninë e Veriut me ligj do të njihen si media. Ndryshimet e Ligjit për Mediat janë në procedurë parlamentare dhe ato imponojnë disa kushte që një uebfaqe të mund të regjistrohet si media. Por kjo nuk do ta rregullojë ndarjen e parave nga buxheti i shtetit gjatë fushatave elektorale, për çka shoqatat e gazetarëve prej vitesh po alarmojnë duke e quajtur praktikën “korrupsion të legalizuar”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Për të vendosur rregull në reklamat politike me pagesë në hapësirën online duhet të bëhen ndryshime edhe në Kodin Zgjedhor.
Ndryshimet në legjislacionin zgjedhor janë në përgatitje e sipër dhe sipas agjendës së reformave ato duhet të miratohen brenda muajit qershor të vitit 2025, por mbetet e paqartë nëse do i përfshijnë edhe reklamat gjatë fushatave zgjedhore.
“Grupi i punës po punon për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kur të përgatitet propozim-versioni, publiku do të informohet për përmbajtjen dhe zgjidhjet e propozuara”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Regjistri për portalet, kush mund të regjistrohet?
Ndryshimet në Ligjin për Mediat, nga ana tjetër, janë përgatitur nga Мinistria e Transformimit Digjital.
Ata parashikojnë që veprimtari mediatike, përveç mediave tradicionale – radiot, televizionet dhe gazetat, siç ka qenë deri më tani, të mund të bëjnë edhe portalet online. Ata duhet që këtë veprimtari ta kenë të regjistruar në Regjistrin Qendror, të kenë seli dhe redaksinë e tyre në Maqedoninë e Veriut dhe të kenë një domen në Maqedoni – mk ose mkd të regjistruar në emër të tyre.
Është paraparë edhe krijimi i Regjistrit për media online, i cili do të udhëhiqet nga Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuele (AShMAA), ndërsa kusht shtesë që një portal të mund regjistrohet në të është që të ketë të paktën tre punonjës me orar të plotë – kusht për të cilin Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë shpreh frikën se mund të jetë diskriminues për disa media, para së gjithash për portalet lokale.
Me propozim – ndryshimet e Ligjit që kaluan në lexim të parë në një seancë parlamentare dje (8 prill) gjithashtu parashihet edhe se një herë në vit portalet do të duhet të dorëzojnë pranë AShMAA-s të dhëna për pronësinë dhe strukturën editoriale, të ardhurat dhe shpenzimet dhe numrin e punonjësve.
Më mirë disa, se sa kurrfarë kufizimesh për reklama
Nëse në të ardhmen nga ky Regjistër do të mund të marrin para nga reklamat zgjedhore vetëm mediat online, është pyetja për të cilën përgjigje ka kërkuar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), por nga Ministria e Transformimit Digjital u kanë thënë se përgjegjëse për këtë është Ministria e Drejtësisë.
Vitin e kaluar Shoqata ka qenë pjesë e grupit të punës në Ministrinë e Drejtësisë, por këtë vit nuk ka asnjë “informacion për një nismë të tillë”.
Sipas legjislacionit aktual partitë dhe pjesëmarrësit në zgjedhje për reklama gjatë fushatave marrin para edhe nga Buxheti. Kështu, për zgjedhjet e dyfishta – presidenciale dhe parlamentare – në vitin 2024, për këtë qëllim nga thesari i shtetit janë ndarë rreth 10 milionë euro.
“Qëndrimi ynë në lidhje me programet politike me pagesë është konsistent dhe i qartë – partitë nuk duhet të përdorin para publike për reklama në mediat private. Megjithatë, në kushte kur nuk ka vullnet politik për ndryshim të plotë, kufizimi sipas të cilit programi me pagesë do të zbatohej vetëm për mediat e regjistruara mund të ndihmojë në parandalimin e keqpërdorimeve nga të ashtuquajturat media fantazmë”, thotë drejtori ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski.
Reklamimi politik i paguar me paratë e taksapaguesve është gjithashtu problematik për Këshillin për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM). Gjëja më problematike, thotë drejtoresha ekzekutive e KEMM, Biljana Georgievska, është se deri më tani paratë janë ndarë pa kriter dhe mediave që në asnjë mënyrë nuk garantojnë se i respektojnë rregullat e gazetarisë profesionale.
“Kjo veçanërisht vlen për mediat online, numri i të cilave vazhdimisht po rritet, ndërsa cilësia e përmbajtjeve vazhdimisht bie, sepse shumë shpesh pas tyre ka një ose dy persona, të cilët jo domosdoshmërisht kanë përvojë gazetareske, e prandaj i plotësojnë përmbajtjet duke përshkruar komunikata për shtyp pa asnjë ndërhyrje gazetareske, duke kopjuar informacione nga media të tjera ose duke përkthyer tekste nga mediat e vendeve fqinje”, thotë Georgievska.
Në KEMM, siç thekson ajo, kanë sinjale se edhe tani në pritje të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor, po përsëritet e njëjta gjë dhe se po formohen media të reja online.
Klientelizëm dhe “fragmentim” i hapësirës mediatike
Edhe Sekullovski nga SHGM-ja thotë se në ciklet e kaluara zgjedhore vazhdimisht e kanë theksuar këtë problem sepse, siç thekson ai, “krijon rrezik për keqpërdorim të mjeteve publike dhe inkurajon marrëdhënie klienteliste mes partive dhe disa mediave”.
Kujtojmë se në prag të zgjedhjeve të vitit të kaluar për të marrë reklama nga KSHZ-ja aplikuan rreth 250 portale. Për regjistrim mjaftonte të dorëzohej një vërtetim se kanë regjistruar kompani dhe llogari rrjedhëse nga Regjistri Qendror. Siç nxorri në pah atëkohë inspektimi i kryer nga Radio Evropa e Lirë, disa prej tyre nuk kishin uebfaqe funksionale, disa nuk kishin pronësi dhe gjurmë të publikuara, disa ishin themeluar më pak se një vit para zgjedhjeve dhe të paktën dhjetëra prej tyre ishin me domen në Shqipëri.
Përfaqësuesit e shoqatave të gazetarëve janë decidë se praktika e deritanishme e ndarjes së parave për reklama zgjedhore e shkatërron edhe profesionalizmin gazetaresk.
“Shpërndarja joselektive e parave publike për reklama politike e inkurajon edhe fragmentizimin e hapësirës mediatike, në vend që portalet më të vogla të bashkohen në një ekip më të madh redaktues që do të nxisë profesionalizëm dhe integritet”, thekson Georgievska.
Përveç shoqatave të gazetarëve, probleme në reklamimin në media janë vërejtur edhe në raportin e fundit të Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2023. Revizorët kërkuan ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe përcaktimin e institucionit për monitorimin dhe raportimin e mbulimit mediatik zgjedhor të mediave elektronike (portaleve online).
EShR e theksoi edhe nevojën për precizimin e kushteve dhe kritereve që duhet t’i plotësojnë portalet në mënyrë që të mund të aplikojnë për reklama politike në KSHZ. Por duhet të ketë edhe kritere të qarta dhe precize për shpërndarjen e parave buxhetore për reklamat politike me pagesë në portalet online.