Në RMV kërkohen punëtorë edhe me pllakat

    Në Maqedoni figurojnë mbi 100 mijë persona të papunë, mirëpo punëdhënësit janë në hall të gjejnë fuqi punëtore. Çdo kund po hasen shpallje që kërkohen punëtorë. Njëherësh, tregu i punës në vend ka një mos përputhje të madhe midis ofertës dhe kërkesës, ku afaristët ankohen se nuk mund të gjejnë apo edhe shumë vështirë po gjejnë fuqi adekuate punëtore. Me vite po alarmohet edhe për reformimin e procesit arsimor me qëllim që të ofrojë punonjës për sektorin e biznesit, mirëpo edhe ky proces po ec ngadalë. Përskaj pakënaqësive me pagën, edhe kualifikimet jopërkatëse vlerësohen si pengesë për plotësimin e vendeve të punës.

    Njohësi i kësaj problematike, Zoran Koçovski, thotë se kjo problematikë është mjaft e ndërlikuar, mirëpo shton se në parim – fuqia punëtore në Maqedoni ka pritshmëri të mëdha nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër – kualifikimet e saja janë të vogla si dhe mungon edhe kultura e punës, përderisa efektiviteti në vendin e punës luhatet ndërmjet 30 dhe 40 për qind. Për më tepër, edhe pse po kërkohen punonjës në çdo hap, të papunët shpesh nuk pranojnë të fillojnë të punojnë edhe për pagë më të ulët, të avancohen gradualisht dhe të përmirësojnë shkathtësitë e tyre të punës, konstaton ai.

    Në ndërkohë, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, në Shkup janë vërejtur bilborde në të cilat investitori i huaj Van Hool kërkon punëtorë në Maqedoni me pagë prej 50 mijë denarë për auto ngjyrosës, përderisa në pozitat e tjera ofrohen paga fillestare prej 28 mijë denarë. Van Hool është një prodhues i autobusëve dhe automjeteve komerciale nga Belgjika dhe ndodhet në Zonën Zhvillimore Industriale Teknologjike – Shkup2, në Bunarxhik. Investitori ka një thirrje të hapur vazhdimisht për punësim nga profesione të ndryshme. Gjithashtu, punëdhënësit në Maqedoni vazhdimisht ankohen se ka mungesë të punëtorëve, por si duket pagat që ofrojnë nuk janë mjaftueshëm tërheqëse për punonjësit e ri.

    Nga ana tjetër, me vite me radhë po vërehet edhe një trend negativ në tregun e punës. Të dhënat tregojnë se më shumë të punësuar nga muaji në muaj ju vonohen të ardhurat e tyre mujore. Në periudhën e fundit më të prekur kanë qenë punonjësit në firmat që punësojnë deri 10 punonjës. 20.601 punëtorë në 9.975 punëdhënës nuk e kanë marrë pagën e muajit nëntor, thotë drejtoresha e Drejtorisë të të ardhurave publike, Sanja Lukarevska, duke shtuar se fatkeqësisht, këta punëtorë, para së gjithash në ndërmarrjet mikro, mbetën pa para për Vitin e Ri.

    “Më 29 dhjetor 2023, llogaritjet për muajin nëntor janë dorëzuar dhe paguar nga 60,143 punëdhënës për 535.634 punonjës. Ka llogaritje të pranuara dhe të papaguara nga 4441 punëdhënës për 10.921 të punësuar, dhe ka kalkulime të papaguara nga 5534 punëdhënës për 9680 punëtorë”, thekson Lukarevska.

    Analizat e sindikatave tregojnë se nga viti 2021 deri në shtator 2023, pjesa më e madhe e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve ka të bëjë me mos pagesën e pagave dhe regresit për pushim. Njëherësh, në vend ka edhe punëdhënës të cilët në vitin 2023 paguanin pagë vetëm 5 apo 10 denarë, tregon analiza e DAP. Mbi 700 punëdhënësve u janë bllokuar llogaritë për shkak të pagave të papaguara që nga fillimi i vitit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Serbia vazhdon të arrestojë shtetas të Kosovës me akuza për krime lufte

    Lajmi i rradhës

    Vazhdon dëmtimi i pronës publike në Tetovë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë