Vazhdon dëmtimi i pronës publike në Tetovë!

    Qendra e Tetovës/Fotografia: Nistori

    Vazhdon dëmtimi i pronës publike në territorin e Komunës së Tetovës. Pajisjet e vendosura në disa pjesë të qytetit të Tetovës vazhdojnë të jenë cak i personave të pandërgjegjshëm, të cilët i dëmtojnë pa asnjë arsye. Të tilla janë rastet me këndet për fëmijë, ndonëse janë të paktë në qytetin e Tetovës, ata dëmtohen vazhdimisht. Deri më tani, askush për këto dëmtime nuk është marrë në përgjegjësi apo është zbardhur se kush qëndron prapa këtyre akteve vandale, sepse kjo dukuri nuk është e tanishme,por në vazhdimësi ka pasur raste të këtilla dhe nuk është ndëshkuar askush.

    Sipas Komunës së Tetovës, persona të papërgjegjshëm vazhdojnë të shkatërrojnë pronën publike në qytet, respektivisht kanë dëmtuar pajisjet për lojërat e fëmijëve, të cilat komuna i ka vendosur në shumë vende në qytet. Rasti i fundit është regjistruar në afërsi të lumit Shkumbin në mes rrugës “Bllagoja Toska” dhe “Vidoja Smilevski Bato”, ku pajisjet për lojëra janë hedhur në lumë. Nga Komuna e Tetovës thonë se veprimet e tilla të shëmtuara nuk i bëjnë dobi askujt, përkundrazi, paraqesin një imazh të shëmtuar për qytetin.

    “Ngjarjet e këtilla siç është dëmtimi i pajisjeve urbane është një dukuri që ndodh shpeshherë në qytetin e Tetovës. Zakonisht, cak i personave të pandërgjegjshëm janë shportat për mbeturina, këndet e lojërave për fëmijë, drunjtë e mbjella, ulëset dhe kështu me radhë. Rasti më i freskët është në afërsi të lumit Shkumbin ku pajisjet për lojëra janë hedhur në lum. Kërkojmë nga qytetarët të jenë më të kujdesshëm në këto raste, të mos dëmtojnë pajisjet urbane dhe njëkohësisht edhe ata të kujdesen më shumë për të njëjtat, sepse janë vendosur në shërbim të qytetarëve”, deklaroi për gazetën Koha, Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

    Ky rast, sikurse edhe rastet tjera, janë denoncuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, ndërsa autoritetet e Komunës së Tetovës shpresojmë që policia të gjejë dhe ndëshkojnë ata që prishën pajisjet të cilat shfrytëzohen nga fëmijët. Përmes faqes zyrtare në Facebook, Komuna e Tetovës vazhdimisht publikon foto të veprimeve të pandërgjegjshme  të individëve dhe kërkon që të mos prishen pajisjet urbane, ulëset dhe pronat publike. Nga Ndërmarrja Publike Komunale thonë se për më shumë pastërti vendosin edhe shporta në shumë hapësira publike, por ato shpesh herë dëmtohen nga persona të pandërgjegjshëm, kurse zëvendësimi i tyre kushton shumë për këtë ndërmarrje.

    Nga Komuna më tej thonë se në rastet kur autorët kapen në vend ose identifikohen nëpërmjet fotove apo videove të dërguara, lëshohen urdhërpagesë për  kundërvajtje, ndërsa në rastet kur autorët janë persona të panjohur, njoftohet policia.

    Lajmi Paraprak

    Në RMV kërkohen punëtorë edhe me pllakat

    Lajmi i rradhës

    Etnia në konkurset për punë, “balancuesi” – mekanizëm që keqpërdoret vazhdimisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë