Në shkollat e Tetovës mungojnë mbi 46 mijë libra

    Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë dhe jo vetëm, vazhdojnë të ndjekin procesin edukativo arsimor po pa libra. Nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës thonë se fatkeqësisht edhe dy muaj pas fillimit të vitit shkollor nxënësit përballen me mungesë të shumë librave. Obligimin për sigurimin e librave e ka Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Gjithsej në shkollat e Tetovës mungojnë mbi 46 mijë libra.

    “Ne si komunë nuk kemi kompetenca apo mundësi ligjore që të ndërhyjmë dhe të sigurojmë libra për nxënësit nëpër shkolla edhe pse kryetari i komunës së Tetovës kishte një vullnet pozitiv që përmes buxhetit të komunës së Tetovës të sigurojë libra për nxënësit, ku gjithsej për shkollat fillore mungojnë 35 mijë libra, kurse për nxënësit e shkollave të mesme na mungojnë mbi 11 mijë libra. Ne si komunë, jemi drejtuar me kërkesë deri tek Ministria e Arsimit dhe Shkencës që sa më shpejtë të na sigurohen libra dhe përgjigje nuk kemi. Kemi patur një takim me drejtuesit e shkollave dhe sërish do të adresojmë kërkesë që të sigurohen libra sepse tashmë janë bërë më shumë se dy muaj që ka mungesë të librave”, tha Nazmi Dauti, udhëheqës i Sektorit për arsim në komunën e Tetovës.

    Mungesa e librave ka impakt negativ në vet zhvillimin e procesit edukativ për nxënësit, prandaj nga sektori për arsim në komunën e Tetovës, shpresojnë që sa më shpejtë nxënësit të furnizohen me libra “Shkollat mundohen që në ndonjë formë të sigurojnë materiale për nxënësit, duke bërë kopjimin e të njëjtave edhe pse me ligj është i ndaluar kopjimi i materialeve shkollore, ka edhe libra të stërvjetëruar, pra e ka impaktin negativ mungesa e librit pasi që informatat bazë dhe mësimin e marrin direkt nga librat prandaj besoj që të ketë një zgjidhje sa më të shpejtë”, deklaroi Nazmi Dauti.

    Sipas Ministrisë së Arsimit javën e ardhshme, në të gjitha shkollat fillore të vendit do të nis distribuimi i teksteve shkollore për klasën e parë, të dytë, të katërt dhe të pestë. Këto të fundit janë pjesë e Konceptit të ri mësimor që parashikon realizimin e procesit mësimor me libra digjital paralelisht me ato të shtypura.

    Nga Ministria e Arsimit thanë se tashmë janë aprovuar 25 tekste shkollore ndërsa 9 të tjera janë në procedurë. Këtë vit shkollor, nxënësit e arsimit fillor që janë pjesë e Konceptit të ri mësimor nisën vitin shkollor pa libra. Në vend të tyre u furnizuan me materiale mësimore që përmbajnë njësi mësimore vetëm të tre mujorit të parë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Muri i Berlinit, 10 gjëra që mund të mos i dinit

    Lajmi i rradhës

    Autizmi, publikohet studimi më i rëndësishëm për gjenetikën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë