Nedellkov: Askush nuk mund t’i detyrojë arsimtarët të vaksinohen

    Kanë mbetur edhe dy javë deri në fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022, por ende nuk ka vendim se si do të zhvillohet mësimi në shkollat fillore dhe të mesme. Nesër Ministrja e Arsimit Milla Carovska takohet me SASHK-un për të diskutuat mbi këtë çështje. Kryetari i kësaj sindikate Joakim Nedellkov thotë se do të përkrahin çdo vendim që del nga Ministria e që ruan shëndetin e mësimdhënësve dhe nxënësve.

    “Megjithatë për fat të keq kemi informacione se virusi Delta po i sulmon më të rinjtë, që nënkupton se kësaj here kemi problem edhe me infektimin te nxënësit, prandaj duhet të bëhen analiza shumë serioze që të gjendet zgjidhja më e përshtatshme, para së gjithash për shëndetin e arsimtarëve, këtë po e them si sindikatë, mirëpo si qytetar dhe prind do them edhe për shëndetin e nxënësve”, tha Joakim Nedellkov nga SASHK.

    Nga gjithsej 31.447 të punësuar në arsim rreth 60% janë vaksinuar, por a do të detyrohen të vaksinohen edhe arsimtarët e tjerë nëse vendoset që të ketë mësim me prezencë fizike, marrë parasysh që nga nesër hyjnë në fuqi masa restriktive për të pavaksinuarit. Nedellkov thotë se askush nuk mund t’i detyrojë arsimtarët që të vaksinohen.

    “Deri sot me asnjë ligj nuk është rregulluar që arsimtarët apo kushdo tjetër a ka patjetër të vaksinohet. Me dekrete jepen udhëzime, sillen vendime nga Qeveria, megjithatë tjetër çka është vendimi i Qeverisë e tjetër është ligji e kushtetuta. Për këtë arsye mendoj se askush nuk ka të drejtë të detyrojë dikë që të vaksinohet edhe nëse ajo mund të jetë në dëm të vetvetes, dëm ndaj rrethit, nuk mund të suspendohet ligji dhe kushtetuta”, shtoi Nedellkov.

    TV21 kontaktoi me zëvendësministrin e arsimit, i cili konfirmon se ende nuk ka vendim për vitin e ri shkollor. Ajo që MASH vazhdimisht përsërit për këtë çështje, janë tre skenarët e mundshëm për të nisur mësimin. Shkolla plotësisht të hapura për të gjithë nxënësit, modeli i dytë është që nga klasa e parë e deri në të katërt me prezencë fizike e të tjerët online, ndërsa skenari i fundit një javë mësim në shkollë një javë online./TV21/

    Lajmi Paraprak

    Strehimi i afganëve, Ollbrajt: Falënderojë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë për gatishmërinë

    Lajmi i rradhës

    Hudhër me limon për të pastruar enët e gjakut në 40 ditë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë