Nëntori po kalon, librat assesi të arrijnë në duart e nxënësve

    Ka filluar tashmë java e dytë e nëntorit dhe arsimi në Maqedoni ende po përballet me problemin e tejzgjatur të mungesës së librave shkollorë. Pavarësisht premtimit të Ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, që tekstet e reja shkollore do të mbërrijnë në fund të tetorit apo fillim të nëntorit, nxënësve të shkollave fillore ende nuk u janë shpërndarë materialet e reja.

    Materialeve mësimore të përdorura si zgjidhje afatshkurte deri më tani tek klasat e para, të dyta, të treta dhe të katërta fillore, vetëmse ju ka ardhur fundi, të paktën për lëndën e matematikës. Kështu tregon njëra nga mësueset e shkollës fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, e cila thotë se në librin i cili përmban katër lëndë në një, matematika ka përfunduar.

    “Tani më ju e dini se çfarë materiale na kanë sjellur MASh për t’i mësuar nxënësit, por matematikën veçmë e kemi përfunduar. Lëndët e tjera që janë të përfshira në libër si Gjuha Shqipe, Shkencat Natyrore dhe Histori & Shoqëri, ende kanë material edhe për një kohë të caktuar”, u shpreh kjo mësuese nga Kumanova.

    Përveç mungesës së librave tek klasat e para, të dyta, të katërta dhe të pesta fillore, me këtë vështirësi përballen edhe nxënësit e klasave të gjashta në këtë shkollë. Drejtori i shkollës, Mustaf Ebibi, informoi që edhe ato pak libra të disponueshëm për klasat e gjashta, janë të dëmtuar.

    “Librat duhet të ndërrohen çdo pesë vite, ndërsa këto që janë aktual ka më shumë se pesë vite që nuk janë ndërruar. Kjo mungesë përfshin lëndën e gjuhës maqedonase, gjuhës angleze, matematikës, historisë, gjeografisë, gjuhës gjermane dhe arsimit qytetarë. Aktualisht, 135 nxënës përballen me këtë problem”, u shpreh drejtori i shkollës fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, Mustaf Ebibi.

    Këshilltari për Arsim në Komunën e Kumanovës, Ridvan Alili, ka njoftuar se u është thënë që materialet e reja mësimore do të mbërrijnë javës tjetër, por jo me një njoftim zyrtar nga MASH.

    “Disa materiale mësimore i kanë sjellur në fillim të vitit shkollorë, por nuk kanë qenë të mjaftueshëm. Ajo çfarë na thonë shkollat dhe ajo çfarë na thonë nga MASH nuk përkojnë me njëra tjetrën, MASH asnjëherë nuk e ka sjellur numrin e nevojshëm të librave”, tha Alili. Ai gjithashtu përmendi që Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk komunikon mjaftueshëm me këtë sektor. “Fatkeqësisht, ne duhet të pranojmë çfarëdo që na servon Ministria e Arsimit. Ata i dinë problematikat e shkollave këtu, por nuk komunikojnë në mënyrë efektive me ne”, tha këshilltari në sektorin e arsimit të Komunës së Kumanovës, Ridvan Alili.

    Ndërkohë, pavarësisht tentimeve të shumta nga redaksia jonë që të kontaktohet me kabinetin e Ministrisë së Arsimit, nga aty askush nuk pranoi të prononcohet në lidhje me këtë problematikë.

    DERI JAVËN E ARDHSHME DORËZOHET NJË PJESË E LIBRAVE

    Njoftojmë se këtë javë dhe javën e ardhshme do të botohen dhe dorëzohen pjesa më e madhe e teksteve shkollore  të reja për klasën e parë, të dytë, të katërt dhe të pestë. Bëhet fjalë për mbi 20 tekste për të cilat nuk ka procedura ankimimi, sipas lëndëve mësimore në klasë të parë, të dytë, të katërt dhe të pestë edhe atë në të gjitha gjuhët në të cilat zhvillohet mësimi në shkollat fillore në vend gjegjësisht në gjuhën maqedonase, shqipe, turke, serbe dhe boshnjake. Kështu ka informuar ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ndërsa nuk ka informatë se kur do të kompletohen tekstet shkollore për nxënësit.

    “Rikujtojmë  se përgatitja e tyre pasoi pas krijimit të programeve të reja mësimore për këto klasa, në përputhje me planin për reformën me faza të arsimit fillor. Ndërkohë, për nxënësit është bërë prokurimi i  materialeve  cilësore mësimore që mbulojnë materialin për tremujorin e parë, në mënyrë që  të mund të punojnë gjatë orëve dhe të përsërisin atë që kanë përvetësuar pas përfundimit të orëve”, thotë ministri Shaqiri. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dy javë përpara mbylljes së konkurseve, ndërrohen të gjithë anëtarët e komisioneve të kulturës

    Lajmi i rradhës

    Umberto Eco mbi të ardhmen e librit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë