“Neomalsorja” që la Europën për rrënjët e saj

    As Tirana, as disa prej kryeqendrave evropiane nuk e bindën Marjana Koçekun të niste karrierën e saj, pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

    Një zë i fortë brenda saj thotë se e thirri për t’u kthyer te “rrënjët e saj” te kulla – trashëgimi e gjyshit dhe babait në fshatin Nanplepa të Dukagjinit, në veri të Shqipërisë.

    “Kujtimet e fëmijërisë dhe mënyra se si më kishte rritur nëna ime, më bënin të mendoja se askund nuk do të ndihesha ashtu si në vendin tim të lindjes, por ende nuk e kisha atë që doja”, thotë Marjana për Radion Evropa e Lirë.

    E diplomuar në Tiranë, 22-vjeçarja jetoi për një vit në Gjenovë, Frankfurt e Stokholm. Thotë se kishte disa mundësi punësimi në profesionin e saj, por që nuk e tërhiqnin dhe vendosi të kthehej në Shqipëri, tetë muaj më parë.

    Marjana Koçeku.
    Marjana Koçeku.

    “Shkëndija që më bëri të kthehem te rrënjët, erdhi derisa udhëtoja në Suedi. Po udhëtoja me transport publik, kur drejtuesi i autobusit vuri një këngë shqip. Iu afrova dhe bisedova me të, ishte nga Dukagjini. Më befasoi shumë fakti se sa shumë jemi të shpërndarë nëpër botë ne, shqiptarët”, rrëfen Marjana.

    E reja nga Malësia e Dukagjinit thotë se kjo histori, iu shtua shumë të tjerave që gjenden në blogun e saj online për shqiptarët që ka takuar nëpër Evropë, kudo ku ka shkuar.

    Thotë se ka histori pa fund, të bukura, të dhimbshme, e që secila përshkohet nga malli për vendin, për rrënjët shqiptare.

    Ajo thotë se, prej kohësh, kishte menduar t’i publikonte ato, me qëllim që përmes tyre të ndikonte sadopak te bashkëmoshatarët e saj, dhe jo vetëm për të mos e lënë Shqipërinë.

    “Doja t’i publikoja për shumë njerëz që mendoj se duhet të shkëputen nga modele iluzionale që kanë krijuar, për t’i bërë të mendojnë se një të ardhme më të mirë mund ta gjejnë pikërisht në vendin e tyre. Kjo më mundonte gjithnjë, por ende nuk kisha gjetur një emër për blogun tim, një emër që të më përfaqësonte mua dhe vendin tim. Blogun e quajta Neomalsore”.

    “Historitë që hodha në të, shkaktuan ndikim të madh, aq sa nuk e prisja, por kuptova se të rinjtë kanë nevojë për këtë nostalgji, këtë kërcitje mendimesh dhe ndjenjash, që na bëjnë të kujtojmë se kush jemi dhe nga vijmë, për këtë kthim te rrënjat tona”, shprehet Marjana.

    U ktheva në Shqipërim sepse askund nuk je më e lirë se në shtëpinë tënde

    E lodhur nga zhurma dhe kaosi i qyteteve të mëdha evropiane, në prill të këtij viti, Marjana u kthye te “rrënjët e saj” te kulla në breg të Liqenit të Komanit, në hyrje të Lumit të Shalës.

    Tani ishte koha për një tjetër hap – për “Neomalsore agroturizëm”.

    Fëmijët - mysafirë ndërkombëtarë në kullën e saj.
    Fëmijët – mysafirë ndërkombëtarë në kullën e saj.

    Familja e Marjanës kishte përvojë në turizëm.

    Në vitin 2010, vëllezërit e saj hapën shtigjet e Lumit të Shalës, duke ofruar udhëtime me varka për në fshatrat turistikë të kësaj zone.

    Por, Marjana kërkonte diçka që lidhej me tokën e të parëve. Ajo vendosi t’i hapte dyert e kullës së trashëguar për turistët, për ta bërë të njohur historinë shekullore të kësaj zone, traditat, zakonet, ushqimet, që për të janë “magjike”.

    Kulla tërheq vëmendjen e personaliteteve të politikës evropiane

    Marjana tregon se kulla e familjes së saj është e para dhe e vetmja që pret turistë në këtë zonë, që ka një bukuri të rrallë, por ka mungesë të energjisë elektrike prej gati 30 vjetësh.

    Familja e saj e ka gjetur vetë zgjidhjen me gjenerator dhe panele diellore.

    Ky është një element që thotë se i çudit jo pak turistët e huaj, por ata, mbi të gjitha, mrekullohen me peizazhin, me natyrën e egër dhe të bukur, me ushqimet, me historitë.

    Një zë i fortë brenda saj thotë se e thirri për t’u kthyer te “rrënjët e saj” te kulla - trashëgimi e gjyshit dhe babait.
    Një zë i fortë brenda saj thotë se e thirri për t’u kthyer te “rrënjët e saj” te kulla – trashëgimi e gjyshit dhe babait.

    E reja thotë se ka mbetur e befasuar që kulla ka tërhequr vëmendjen e personaliteteve të politikës evropiane. Atë e kanë vizituar ministri holandez i Transporteve, Mark Harbers, ambasadori i Francës në Lindjen e Mesme, Xavier Chatel, etj.

    “Ajo që ofrohet është shumë atraktive për të huajt. Kulla është ashtu siç është ndërtuar. U shtrojmë sofrën pranë oxhakut me ushqimet bio dhe kjo është përvojë e pazakontë për ta, sepse është autentike. E vlerësojnë ushqimin që thonë se në Evropë nuk gjendet më. Përveç kësaj, i tërheq lumi, liqeni, lundrimi me varkë, mali, bjeshkët, shtigjet ku ecin, duan t’i njohin fëmijët me tokën, me mënyrën se si rritet bima, kafsha, si është cikli jetësor, si duhet të jetosh në paqe me natyrën”, thotë Marjana.

    Sipas saj, turistët vijnë nga vendet skandinave, nga Austria, Zvicra, Holanda etj.

    “Shumica nuk e dinë se nga vjen molla për shembull, që e blejnë në supermarkete. Kjo duket absurde për ne, por për ta është mbresëlënëse”, tregon Marjana për Radion Evropa e Lirë.

    Ushqime “të varfra”, por të pasura në shije dhe histori

    Ajo flet me shumë pasion për secilin prej ushqimeve të kësaj zone dhe historinë që qëndron pas tyre.

    "Gjithçka është bio nga ferma dhe toka jonë”
    “Gjithçka është bio nga ferma dhe toka jonë”

    “Unë jam rritur me këto ushqime të varfra, por që, në fakt, janë të pasura në histori dhe shije. Secili prej tyre ka një histori shekullore që lidhet me jetën e njerëzve, me territorin, me vetë Malësinë. Për shembull, kryelana vjen nga stanet e bjeshkëve të larta. Kur banorët e këtyre zonave dilnin në bjeshkë në dimër, nuk e kishin luksin të gatuanin bukë përditë”.

    “Për ta bërë të konsumueshme bukën e misrit, ata gjetën një zgjidhje, siç në fakt u duhej ta gjenin për çdo gjë. Bukën e fortë të misrit e kanë zbutur me gjalpë të shkrirë. Për ta bërë të shijshme, i kanë hedhur mjaltë. Tre përbërës të thjeshtë në një ushqim me shije dhe histori nga pas. Të gjitha ushqimet kanë zbritur prej bjeshkëve, prej staneve te ne dhe kanë histori të veçanta shpirtërore”, tregon Marjana, e cila ka mbledhur me shumë kujdes historitë e të moçmëve të zonës së Dukagjinit.

    Marjana thotë se edhe buka e misrit ka tjetër shije në vendin e saj. Ajo piqet në ceremë, që është një tepsi e bërë me baltë të kuqe, dhe mbulohet me kaki, apo saç.

    Kështu, elementi i tokës dhe zjarrit i jep shijen e veçantë edhe bukës së misrit, thotë ajo.

    Një tjetër ushqim është flija, që përdoret edhe në Kukës, Pukë, apo në Kosovë, por flija e Dukagjinit thotë se është e veçantë.

    "Ndryshe nga zonat e tjera, te ne, flija është e ëmbël"
    “Ndryshe nga zonat e tjera, te ne, flija është e ëmbël”

    “Flija dikur është bërë si sakrificë për ditë festash, për një dëshirë të malësorit, për një gëzim, dhe përgatitja e saj është vërtet sakrificë. Ajo do katër orë të përgatitet. Ndryshe nga zonat e tjera, te ne, flija është e ëmbël, secila prej petave – përveç gjalpit – lyhet edhe me mjaltë”.

    “Ushqime të tjera janë leqeniku, kulaçët e misrit që piqen mbi kakinë të mbuluar me prush, fasulet që gatuhen në enë balte me ujë të kroit dhe mendër të egër, supa me hithra apo bimë të tjera të egra, dhe sigurisht gjithçka është bio nga ferma dhe toka jonë”, thotë Marjana.

    Sigurimi i lëndës së parë, nëse mungon nga ferma apo toka e familjes Koçeku, sigurohet ashtu siç malësorët e kanë siguruar gjithmonë: duke shkëmbyer mallra me njëri-tjetrin.

    Marjana thotë se misrin nuk e kultivojnë vetë, por miellin e sigurojnë në fshatrat përreth dhe në këtë mënyrë ndihmojnë ekonomikisht njëri-tjetrin.

    Ajo flet me shumë pasion për secilin prej ushqimeve të kësaj zone dhe historinë që qëndron pas tyre.
    Ajo flet me shumë pasion për secilin prej ushqimeve të kësaj zone dhe historinë që qëndron pas tyre.

    Mesazhi i Marjanës për të rinjtë: Mos u largoni, provoni të ktheheni te rrënjët

    Në biznesin familjar “Neomalsore agroturizëm”, veç Marjanës, janë përfshirë edhe nëna e saj, që Marjana e quan “yll të kuzhinës”, dy vëllezërit dhe kunata e saj.

    Marjanës i duhet të ecë rreth gjysmë ore për t’u ngjitur në majën e maleve për të pasur valë telefonike, për të postuar në rrjetet e saj sociale pamjet e rrënjëve të saj, ku thotë se ka gjetur paqen dhe ndihet e plotësuar.

    Çdoherë që ngjitet atyre shtigjeve të egra, lidhet më shumë me tokën e saj, me vendin e saj që e cilëson të bekuar për atë që natyra i ka falur. Marjana ka një mesazh për të rinjtë në Shqipëri, ikja e të cilëve është shndërruar në fenomen tash e sa vite.

    “Mos u largoni pa provuar deri në fund se çfarë mund të bëni në vendin tuaj! Unë them se fokusin kryesor duhet ta keni tek identiteti, që na bën unikë dhe jo të nxitojmë për t’u unifikuar me gjithçka të re që vjen. Ka disa vlera që i ka vendi ynë, kryesisht malësitë e egra. Bota i ka humbur prej zhvillimit, ose nuk i ka pasur. Janë disa vlera që edhe pse nuk përqafohen më nga masa, duhen ruajtur me shumë dashuri dhe fanatizëm. Në kryeqytete ka modele pa esencë dhe iluzionale, duhet të kthehemi te rrënjët”, thotë Marjana për Radion Evropa e Lirë.

    Marjanës i duhet të ecë rreth gjysmë ore për t’u ngjitur në majën e maleve për të pasur valë telefonike.
    Marjanës i duhet të ecë rreth gjysmë ore për t’u ngjitur në majën e maleve për të pasur valë telefonike.

    Ajo mendon se Shqipëria ka shumë potencial të pashfrytëzuar natyror dhe njerëzor, andaj e ka edhe një apel për politikën:

    “Unë uroj që të ndërmerren politika mbështetëse për qytetarët, por, mbi të gjitha, uroj që të ndërgjegjësohemi për pasuritë e jashtëzakonshme natyrore që i kemi. Parajsa nuk është në Evropë, por është këtu ku kemi rrënjët. Ato na presin t’i ushqejmë”.

    Në muajin dhjetor, Marjana mori çmimin “I riu i muajit” nga Ministria e Shtetit për Rininë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Von Der Leyen: BE-ja qëndron pranë Ukrainës “për aq kohë sa duhet”

    Lajmi i rradhës

    Fëmija nuk i do lodrat!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë