Nëse ju kafshojnë qentë endacakë, Komuna e Tetovës do t’ju shpërblejë në të ardhmen

    Foto arkiv

    Komuna e Tetovës më në fund do të themelojë Komision pesë anëtarësh, i cili në të ardhmen do të duhet të sjellin vendim për të dëmshpërblyer qytetarët, të cilët kafshohen nga qentë endacak në hapësirat publike. Në seancën e fundit të Këshillit të Komunës së Tetovës janë dhënë sqarime lidhur me funksionimin e Komisionit dhe mënyrën e dëmshpërblimit të atyre që do të kafshohen nga qentë endacak. Ky Komision do të përcaktojë edhe vlerën e dëmshpërblimit.

    “Qytetarët e dëmtuar, në këtë rast të kafshuar nga qentë endacak, do të duhet të dorëzojnë kërkesë për marrjen e dëmshpërblimit. Qytetarët duhet që me vete të kenë raport mjekësor. Sa i përket anëtarëve të Komisionit, dy anëtarë duhet të jenë nga jashtë edhe atë një mjek specialist traumatolog dhe tjetri të jetë mjek nga fusha e psikiatrisë. Ky Komision poashtu do të përcaktojë edhe vlerën e dëmshpërblimit”, njoftuan nga Komuna e Tetovës.

    Brenda vitit, në Tetovë sipas statistikave zyrtare, nga qentë endacak kafshohen më shumë se 100 persona. Nga VMRO-DPMNE kanë kërkuar sqarim se a janë planifikuar mjete në buxhetin e Komunës së Tetovës për këtë qëllim, ndërsa kanë kërkuar të punohet më shumë në parandalimin e dukurisë së paraqitjes së qenve endacak në territorin e Komunës së Tetovës. Nga Komuna e Tetovës thonë se mjetet do të planifikohen në buxhetin për vitin e ardhshëm të komunës. Sqarimi i tyre është se deri më tani, qytetarët që kanë pësuar kafshime nga qentë endacakë, është dashur të drejtohen në gjykatë dhe më pas të sillen vendime për dëmshpërblime, ndërsa tani qytetarët do të mundet me raportin mjekësor dhe me denoncimin në polici, të adresohen te ky Komision.

    Nga LSDM kërkuan të angazhohet edhe më shumë inspektorati komunal me problemin me qentë endacak, sidomos afër marketeve të mëdha.

    ”Ky problem na shfaqet rreth këtyre marketeve në qytetin tonë pasi që qenve endacak u hidhen ushqime. Jam dëshmitarë për këtë dukuri dhe në këtë rast, ata qen endacak paraqesin rrezik për kalimtarët e rastit. Kërkoj që të ndërmerren masa që sa më shpejt të largohen qentë endacak nga rrugët e Tetovës”, tha Gligorie Stojanovski, këshilltar nga radhët e LSDM-së.

    Së fundmi, Komuna e Tetovës dhe jo vetëm, është duke u përballur me numër enorm të qenve endacak, të cilët edhe mund të vërehen në tufa të mëdha në rrugët kryesore të Tetovës. Zgjidhja shihet tek strehimorja që duhet të ndërtohet në Komunën e Vrapçishtit,por ende nuk është gjetur mënyra se si do të bëhet financimi për strehimore, pasi tashmë komunat e Pollogut kanë humbur mundësinë të marrin mjete nga fondet ndërkombëtare për këtë qëllim, ngase dështoi ndërtimi i strehimores në Komunën e Bërvenicës dhe me automatizëm financimi është ndërprerë. Në paraqitjen e fundit të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ai ka akuzuar se qentë endacak sillen nga qytete tjera të Maqedonisë së Veriut dhe kërkoi më shumë angazhim nga ana e policisë në këtë drejtim që të gjendet personat që sjellin në Tetovë qen endacak. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mbi 122 mijë banorë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë

    Lajmi i rradhës

    OKB hedh poshtë akuzat ruse për sulmin në Detin e Zi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë