Nestoroviq pranon se rusët po ndërhyjnë në formimin e qeverisë në Serbi

    Flamuri i Rusisë dhe Serbisë

    Mjeku kontrovers, teoricieni i konspiracionit dhe themeluesi i lëvizjes “Ne-zëri i popullit”, Branimir Nestoroviq, ka bërë të ditur se ka kontakte me administratën ruse, e cila, siç ka thënë ai, i ka sugjeruar që të formojë qeverinë me Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit.

    Sipas mediave serbe, Nestoroviq iu referua deklaratës nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zakharova, e cila së fundi tha se “Perëndimi dëshiron t’i detyrojë serbët të sakrifikojnë interesat e tyre themelore, duke përfshirë mbrojtjen e bashkatdhetarëve të tyre”, shkruajnë mediat serbe.

    Andaj, siç ka pretenduar Zakharova, “përballë këtyre sfidave, në veçanti kërkohet uniteti i klasës politike të Serbisë dhe aftësia e saj për të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e vendit”.

    “Në këtë kontekst, një rol të veçantë kanë forcat patriotike që tashmë e kanë dëshmuar veten dhe ato që sapo po fitojnë autoritet në shoqëri. Shumë varet nga vullneti i tyre për t’u bashkuar dhe për të mbrojtur bashkërisht interesat themelore të popullit serb, për të siguruar stabilitetin e qeverisë në të gjitha nivelet, në mënyrë që të zhvillohen dhe zbatohen zgjidhje të qëndrueshme për çështjet kyçe të qeverisë”, citohet të ketë thënë ajo.

    Dhe nga ana tjetër, vlerësojnë mediat serbe, Nestoroviq nuk e fshehu se ishte pak a shumë një mesazh i drejtpërdrejtë për të dhe lëvizjen e tij.

    “Kjo është një thirrje direkte për ne. Madje kemi pasur disa kontakte me disa persona nga…. Le të themi njerëz nga administrata ruse që na sugjeruan ta mbështesim këtë opsion (me Partinë Progresive Serbe)…”, ka thënë ndër tjerash Nestoroviq.

    Nestoroviq arriti një sukses në zgjedhjet e dhjetorit në Serbi pas së cilave, lista e tij do të ketë 13 deputetë në parlamentin e Serbisë. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Njoftimi në moment të fundit për lejet e vozitjes, revoltoi qytetarët

    Lajmi i rradhës

    Nga shiu në breshër: Kapja e medias dje dhe sot

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë