NEWBORN kundër “një Republike të prishur”

    Monumenti i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, që gjendet në Prishtinë, pothuajse çdo vit dërgon një porosi nga Kosova për botën.

    Mesazhi i këtij viti është: Jo një Republikë e re e prishur.

    Në faqen zyrtare të këtij monumenti thuhet se mesazhi i këtij viti është ndoshta më provokativ sesa në të kaluarën, “mirëpo si gjithmonë është aktual me situatën në të cilën janë njerëzit dhe shteti”.

    Aktualisht, Kosova është nën trysni gjithnjë e më të madhe për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Shumë në Kosovë, përfshirë Qeverinë e vendit janë shprehur kundër këtij Asociacioni duke e konsideruar atë si strukturë që do të çonte në bosnjëzimin e Kosovës.

    Me këtë, ata i referohen Republikës Sërpska në Bosnje-Hercegovinë, e cila ka fuqinë për t’i ndikuar vendimet e nivelit qendror.

    Krijuesi i monumentit, Fisnik Ismaili e ka shpërndarë fotografinë duke përmendur emrat e Kosovës dhe Ukrainës.

    Ukraina është duke u përballur me pushimin rus prej 24 shkurtit të vitit 2022.

    Por, cilat ishin mesazhet e këtij monumentit ndër vite?

    2008: Më i madh se vetë jeta

    Momumenti NEWBORN më 2008.
    Momumenti NEWBORN më 2008.

    NEWBORN, i cili simbolizon lindjen e shtetit të Kosovës, u krijua në një kohë rekorde brenda 11 ditëve nga autori, Fisnik Ismaili. NEWBORN-i u zbulua më 17 shkurt, 2008, në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë. Atë ditë, mbi 150 mijë njerëz u nënshkruan në këtë monument. Të parët që u nënshkruan, ishin presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

    NEWBORN-i është ndërtuar nga një skelet çeliku dhe është i mbuluar me shtresë metali prej 4mm. Çdo shkronjë ka lartësi prej tri metrash, që peshon përafërsisht një ton. Ky është monumenti më i vizituar në Kosovë.

    Prej 17 shkurtit, 2008, shtatë shkronjat e këtij obelisku nuk ndryshuan pamjen deri në përvjetorin e pestë të pavarësisë së Kosovës.

    Autori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, thotë për Radion Evropa e Lirë se qysh në fillim kishte dy ide se si do të vazhdohej të jetësohej ky monument.

    Ideja e parë, sipas Ismailit, ishte që të ruheshin nënshkrimet e 17 shkurtit 2008, duke e konservuar monumentin. Por, pasi që nuk u arrit të konservohet, u mendua që NEWBORN-i të ndryshojë pamje çdo vit.

    Arsyeja se pse pamja e NEWBORN-it nuk ndryshoi për pesë vjet, siç thotë Ismaili, ishte neglizhenca e autoriteteve për të formuluar një plan të qartë dhe një praktikë për mirëmbajtën e monumentit.

    2013: Mirënjohja

    Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës vendosi që NEWBORN-in ta ngjyrosë me ngjyrë të verdhë, duke rikthyer pamjen që ky monument e kishte pasur në fillim. Kjo ngjyrë është njëra nga ngjyrat e flamurit të Kosovës.

    Momumenti i NEWBORN-it më 2013.
    Momumenti i NEWBORN-it më 2013.

    I pakënaqur me këtë, ideatori i NEWBORN-it, Fisnik Ismaili, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës, cilët iu bashkuan në numër të madh, për t’i pikturuar të gjithë flamujt e shteteve që deri në atë vit e kishin njohur pavarësinë e Kosovës.

    Deri në vitin 2013, numri i shteteve që e kishin njohur Republikën e Kosovës ishte 96.

    2014: Kujtim për të rënët

    Momumenti i NEWBORN-it më 2014.
    Momumenti i NEWBORN-it më 2014.

    Në këtë përvjetor, ngjyrat e NEWBORN-it ishin të uniformave të ushtarëve të vendeve që kanë ndihmuar Kosovën për çlirim nga Serbia. Secila shkronjë u ngjyros me lara ushtarake, identifikuese të ushtrive të shteteve të NATO-s. Në këtë formë, Kosova shprehu mirënjohjen për sakrificën e burrave dhe grave që ndihmuan çlirimin e Kosovës.

    Ndërhyrja e forcave ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, e cila filloi më 24 mars, 1999, shënoi fillimin e bombardimeve 78-ditëshe mbi këto caqe, si dhe ngjalljen e shpresës për qytetarët e Kosovës se liria ishte afër.

    2015: Shprehu lirshëm

    Në kujtim të NEWBORN-it të parë, ku njerëzit i shprehën ndjenjat e tyre duke shkruar me markera të përhershëm në monument, varianti i vitit 2015 ishte vazhdim i zgjeruar i asaj ideje, thotë Fisnik Ismaili.

    Me moton “Shprehu shlirë, ndjehu mirë”, qytetarët ishin të lirë të pikturonin çfarëdo që dëshironin, përveç në shkronjën “E”, e cila mbeti e zezë dhe e cila simbolizonte emigrimin masiv të qytetarëve në atë vit.

    NEWBORN-i më 2015.
    NEWBORN-i më 2015.

    Më 2015, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë.

    2016: Izolimi

    Qielli i kaltër me re e i mbuluar me gjemba në vitin 2016 përçoi mesazhin e izolimit, pamundësinë e Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Evropian, si dhe çështjen globale të refugjatëve. Telat me gjemba në monumentin e NEWBORN-it ishin thirrje për botën për të gjetur një zgjidhje për këto çështje.

    Monumenti i NEWBORN-it më 2016.
    Monumenti i NEWBORN-it më 2016.

    Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012, por ende nuk është finalizuar.

    2017: T’i rrëzojmë muret

    Si reagim ndaj të gjitha mureve nëpër botë, si dhe murit, i cili ndërtohej në Mitrovicën e Veriut, pranë Urës së Ibrit, porosia e NEWBORN-it ishte më inovative dhe e drejtpërdrejtë. Derisa një pjesë e madhe e strukturës qëndronte e ngritur, e ngjyrosur si mur, shkronjat N dhe W u shtruan përtokë, duke qëndruar horizontalisht.

    Monumenti i NEWBORN-it më 2017.
    Monumenti i NEWBORN-it më 2017.

    Muri në Mitrovicë ishte ndërtuar gjatë dhjetorit të vitit 2016 nga autoritetet lokale të Mitrovicës së Veriut. Por, sipas Prishtinës zyrtare, ndërtimi i këtij muri ishte ilegal dhe nënkuptonte ndarjen e Mitrovicës. Muri më pas u rrënua.

    2018: Dekada

    Në këtë vit, Kosova shënonte 10-vjetorin e pavarësisë. Shkronja B e NEWBORN-it u zëvendësua me numrin 1, duke krijuar numrin 10, pasi u vendos pranë shkronjës O. Pastaj, numri 10 u ngjyros me ngjyrë ari, kurse shkronjat tjera u ngjyrosën me ngjyrë të argjendtë.

    Monumenti i NEWBORN-it më 2018.
    Monumenti i NEWBORN-it më 2018.

    2019: Mbrojtja e tokës

    NEWBORN-i i vitit 2019 i ishte kushtuar ambientit, pasi që ngrohja globale ishte çështje aktuale në botë. Në këtë vit, cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pati arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara.

    Monumenti i NEWBORN-it më 2019.
    Monumenti i NEWBORN-it më 2019.

    2020: Luftërat e pafundme

    NEWBORN-i i vitit 2020 iu dedikua të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë konflikteve anembanë botës. Secila shkronjë përmbante fjali që tregonin përjetimet e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, sipas institucioneve dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie, thuhet të jetë 20 mijë.

    Monumenti i NEWBORN-it më 2020.
    Monumenti i NEWBORN-it më 2020.

    2021:Në përkrahje të luftës së UÇK-së

    Qytetarët më 2021 kanë ngjyrosur monumentin me pëllëmbën e dorës së tyre, me një prej ngjyrave të ushtrisë, duke treguar përkrahjen e tyre për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Monumenti NEWBORN më 2021.
    Monumenti NEWBORN më 2021.

    Më 2020, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të gjithë ata ndodhen në paraburgim në Hagë.

    2022: Gratë me krahë

    Monumenti NEWBORN, i cili tashmë është simbol i pavarësisë së Kosovës, më 2022 iu dedikua grave, të cilat kanë qenë të suksesshme në sport, muzikë dhe film dhe kanë përfaqësuar Kosovën në 14 vjet të pavarësisë.

    Mesazhi i vitit 2022.
    Mesazhi i vitit 2022.

    Por, mbi të gjitha, ideatori i NEWBORN-it, Fisnik Ismaili, tha se monumenti u kushtohet grave që vazhdojnë të abuzohen e vriten në shtëpi para familjarëve të tyre.

    Në Kosovë, gratë përbëjnë shumicën e viktimave të dhunës në familje.

    Çdo vit, që nga 2018-ta, së paku 1,000 gra janë raportuar si viktima të dhunës në familje. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Zylbeari: Politika përzihet në çdo sferë, nuk duhet të ndërhyjë në punën e gazetarëve

    Lajmi i rradhës

    Rezistenca që nisi shkëputjen e Kosovës nga Serbia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë